Partia Socialiste me në krye Edi Ramën vijon të shtojë në mënyrë frikshme mbështetjen popullore edhe pas 9 vitesh në pushtet, ndërsa opozita, e ndarë në dy fraksione, me në krye Lulzim Bashën, Sali Berishën dhe Ilir Metën vijon rënien e lirë. Ky është mesazhi i qartë i zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 mars 2022. Në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022, Partia Socialiste ka shënuar rritje në të gjashtë bashkitë me 5 deri në 20 %, krahasuar me rezultatin në këtë bashki në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. I vetmi ngushëllim për dyshen Berisha-Meta duket se është humbja e thellë e Bashës.
Në Bashkinë e Dibrës, rritja e PS-ja ka shënuar kulmin me 20 % krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Në Bashkinë e Dibrës, në zgjedhjet lokale të 6 marsit 2022, kandidati i PS-së Rrahim Spahiu ka fituar me 13 995 vota ose 60.8 %, kandidati i PD-së Luan Haka ka marrë 4437 vota ose 19.2 % dhe kandidati i Shtëpisë së Lirisë Përparim Kryemadhi 4478 vota ose 19.4 %. Në zgjedhjet e 2021, PS-ja, në Bashkinë Dibër, ka marrë 40.8 % të votave, PD-ja 49 % dhe LSI-ja 8.3 %.


















