Ish-futbollisti i Kombëtares dhe i disa klubeve në Shqipëri, "Nderi i Kombit" Sabah Bizi mbylli sytë këtë të enjte në Shkodër në moshën 77-vjeçare. I spikatur si mesfushor, Bizi ishte pjesë e asaj kategorie futbollistësh që të bënte për vete me forcën dhe elegantën në mendim e këmbë, që përkthehej në siguri për shokët e skuadrës.
Në nderim të figurës së tij, stadiumi "Loro Boriçi" në Shkodër hapi dyert e mortit duke pritur këtë të premte qindra e qindra qytetarë dhe tifozë të Vllaznisë e jo vetëm, që këtë herë i madhi Bizi i mblodhi për herë të fundit, si për të shijuar "lojën finale" në fushën që la talentin dhe djersën.
Pjesë e homazheve ishin figurat më të larta politike dhe publike në Shkodër, ish-futbollistë, futbollistë dhe drejtues klubesh që shprehën konsideratat për një emër që ishte i lindur për futbollin.