Sociologu Tushi: Dy mëkatarët e abuzimit të fëmijëve janë prindërit dhe shkolla! Adoleshentë janë të painformuar rreth seksualitetit

24 Maj 2021, 14:44 | Përditesimi i fundit: 2021-05-24 15:09:19

‘Një ngjarje makabre dhe të llahtarshme’ e ka cilësuar sociologu Gëzim Tushi abuzimin seksual ndaj të miturës 15-vjeçare më Rrëshën, nga 5 meshkuj. Në një intervistë për Report Tv, sociologu Tushi thotë se situata është shumë serioze dhe se ky fenomen ka marrë përmasa të mëdha dhe sipas tij duhet të gjendet ‘ilaçet’ e duhura për t'a kuruar.

‘Ngjarja që ndodhi në Lezhë ishte në vrazhdën e ngjarjeve të tjera që kanë ndodhur edhe më parë, ngjarja është makabre, do të thotë se është një abuzim i llahtarshëm, 5 meshkuj të rritur, gjahtarë të seksit, kriminelë seksualë, kanë arritur të bëjnë një gjë paimagjinueshme, ka pësuar një tragjedi të paimagjinueshme nga këta njerëz. Fenomeni i abuzimit seksual me fëmijët është një fenomen që ka marrë përmasa të mëdha. Është  përhapur ky infeksion social i tmerrshëm. Këta kriminelë, këta maniake të seksit fillojnë nga të gjitha moshat. Pra duhet të jemi të vërtetë kemi në situatë shumë serioze. Në vend të bëjmë diagnoza të sakta për të gjetur ilaçet e duhura, merremi vetëm me anën e shtetit, kjo është njëra anë e problemit.’- tha Tushi.

Tushi thekson se fëmijët tanë nuk kanë njohuri dhe nuk janë të përgatitur kulturalisht sa i përket seksualitetit dhe ndryshimeve që ndodh në trupin e tyre në pubertet. ‘Dy mëkatarët’ sipas Tushit që çojnë fëmijët të bien pre e abuzimeve seksuale tek fëmijët sidomos në paraadoleshencë janë prindërit dhe shkolla.

Sipas Tushi familja shqiptare vazhdon që të jetë me skrupujt e vjetër, për sa i përket kulturës seksuale dhe ky është një gabim fatal. Tushi shtoi se nuk duhet ndonjë njohuri e madhe për edukatën seksuale duke nënvizuar se është diçka intuitive dheu bëri thirrje prindërve që të flasin hapur me fëmijët e tyre rreth seksualitetit. Shkolla sakaq, shtoi Tushi, duhet t’i japin një rëndësi shumë më të madhe edukatës seksuale.