TIRANË-Hetimi parlamentar për inceneratorët ishte në qendër të diskutimeve në Kuvend ditën e sotme, pasi opozita dhe mazhoranca, lexuan raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor për Inceneratorët.
Kryedemokrati Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit deklaroi se komisioni hetimor faktoi aferën më të madhe korruptive me plehrat, e sipas tij qeveria ka miratuar brenda 8 orësh 17 vendime për të bërë fshehurazi procedurat për Inceneratorët. Basha u shpreh se një person i vetëm pa asnjë eksperiencë, përveç faktit që sipas tij ka qenë anëtar i bandës së Lushnjes, përfitoi koncesionin për inceneratorët. Tashmë sipas Bashës, topi do të jetë në SPAK.




















