Partitë e reja kanë bërë një fushatë pozitive deri tani dhe me programe elektorale të moderuara, por për të thyer binomin PD-PS u duhet që të jenë më radikalë, pasi në të kundërt ndryshimi nuk vjen.
Juristi Kreshnik Spahiu mendon se pikërisht radikalizmi rrëzon forcat e mëdha që kanë dekada të vendosura si estabilishment, duke sjellë në analogji politike precedentët në Europë.
“Partitë e reja deri më sot kanë bërë performancë të mirë dhe pozitive, përfituar edhe nga rrethanat e krijuara, si konsumi i Ramës e Berishës, goditjet e SPAK. Këto rrethanat nuk kanë qenë as 4 vite më parë dhe Shabani e di pasi ka kandiduar katër vite më parë dhe situatat ishin të komplikuar politikisht. Partitë e reja kanë një frymë liberale dhe që duhet ta prezantojë Shqipëria, për të treguar arrogancën e liderëve të vjetër dhe forcave të vjetra politike. Nuk e di sa efekt do ketë, por edhe në vendet europiane, partitë liberale nuk kanë qenë të suksesshme, në krahasim me ato radikale, të ekstremit, që kanë pasur më shumë rezultat me strategjitë dhe radikalizmin e tyre. Radikalizmi do bënte të mundur rrëzimin e arrogancës së frikshme dhe estabilishmentit të frikshëm të dy partive të mëdha dhe kjo do varet nga 11 maji, pasi më 12 maj do e shohim nëse ky estabilishment do rrëzohet. Këto forca të reja kanë program të moderuar në krahasim me partitë e mëdha”, shpjegoi juristi për Report Tv.