“SPAK po bën nxehjen”, Bamir Topi i “fut frikën” kokave të politikës: Pas çështjeve të mëdha fshihen ata, do iu vijë radha

14 Korrik 2021, 21:58

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi ka komentuar sot në Repolitix aktualitetin politik në vend, marrë shkas nga arrestimet e bujshme së fundmi, përfshirë kryebashkiakun e Lushnjës Fatos Tushe, Eduart Kaprin e Pogradecit apo ish-zv.ministren e Brendshme Rovena Voda.

Topi tha se SPAK dhe drejtësia në përgjithësi merrem me çështjet e jo me individët, por pas çështjeve janë individët.

Ish-Kreu i Shtetit deklaroi se në Shqipëri në këto 31 vite ka shumë çështje të nxehta, pas të cilave fshihen “kokat” e mëdha të politikës.

Bamir Topi: Një gjë nuk shoh mirë unë. Që SPAK është futur në debatet politike dhe mediatike. Ky institucion duhet të lihet i qetë, jo të destabilizohet nga qendrimet politike apo presionet mediatike. Ndoshta SPAK po bën nxehjen tani, për sa kohë nuk po arreston ata që konsiderohen “kokat e mëdha”. Nuk merren në konsideratë individët, por çështjet. Pastaj në bazë të çështjeve del individi. Pas shumë çështjeve të mëdha mbrapa janë individë të rëndësishëm që do të kenë punë me drejtësinë. Nuk mund të shprehem se cila ka qenë çështja më e rëndë, por në Shqipëri ka ngjarje që kanë destabilizuar opinionin publik, pastaj janë ato me abuzimet e fondeve publike. Nuk jam nga ata që e pres të madhen sot, dhe tani. Jo, çdo gjë ka kohën e vetë.