Mazhoranca socialiste propozon zyrtarisht ndryshimin e 5 ligjeve në drejtësi, me qëllim uljen e pirgut të dosjeve që presin prej vitesh shqyrtimin në Apel. Por miratimi i nismave të depozituara nga kryetarja e komisionit të ligjeve, Klotilda Bushka, kërkon 84 vota, që PS nuk i ka e vetme, të paktën jo në këtë parlament.
Më saktësisht, deputetja socialiste kërkon ndryshimin e Kodit të Procedurës Civile, Kodin e Procedurës Penale, Ligjin për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, dhe ligjin për gjykatat administrative.
Sipas propozimit, disa prej çështjeve në apel, të juridiksionit të përgjithshëm ose në apelin administrativ, të mos trajtohen detyrimisht nga një trupë me 3 gjyqtarë, por nga një gjyqtar i vetëm.