'Tensionet' me demokratëve në Kuvend, Balla: Nga grupi i PD janë përjashtuar historikisht deputetë! Noka: Po bëhesh zëdhënësi i shoqatës së bravave

18 Janar 2022, 08:45

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla ka ndërhyrë në tensionet mes demokratëve në Kuvend. Ai iu tha demokratëve se kjo seancë parlamentare duhet të vazhdojë normalisht dhe debatet e tyre t'i transferojnë në një seancë tjetër.

“Mbështes vendimin tuaj zonja kryetare. E para të kujtojmë që në këtë sallë janë njoftuar vendime për përjashtime historikisht. Është përjashtuar Spartak Ngjela, Gilman Bakalli. Në këtë aspekt e drejta e një grupi parlamentar për të përjashtuar dikë është ekskluzive. Jam besimplotë që brenda grupit të PD ka një rregullore. Po flas si një deputet. Nuk ekziston koncepti i pezullimit o je o s’je në një grup. Do i kërkoja grupit të PD që këtë ta adresojë në një seancë pasardhëse. Në këtë këndvështrim mendoj se seanca duhet të vazhdojë normalisht”, u shpreh Balla.

Por deputeti demokrat, Flamur Noka tha se Balla nuk mund të ndërhyjë në punët e brendshme të Partisë Demokratike.

“Taulant balla nuk mund të flasë në emër të grupit të PD. Në rast se pengu autorizon Taulant Ballën të bëjë zëdhënësin e PD nuk mund të pranohet. Balla të vazhdojë me grupin e tij, por zëdhënësin e  shoqatës së bravave mund ta bëjë sa të dojë”, u shpreh ai.