Tirana ka dy vite pa fitore në Durrës, Julian Ahmataj: Kemi dy mungesa, nesër na duhen tri pikët

18 Janar, 13:41

Teuta dhe Tirana luajnë nesër në orën 17:00 në "Niko Dovana" të Durrësit, për javën e 20-të në Superligë. Bardheblutë kanë dy vite që nuk fitojnë në transfertë me Teutën, fakt ky që është anashkaluar nga trajneri Julian Ahmataj. Përpara medieve, trajneri ka thënë se kanë dy mungesa për nesër, me Najdovskin dhe Patrick që ende nuk janë gati.

"Jemi stërvitur me ritëm të lartë dhe jemi gati për ndeshjen. Do të jemi në maksimum nesër, pasi Teuta është gjithnjë një skuadër e vështirë dhe e mirë, pavarësisht pozicionit që ka në renditje dhe nuk e meriton atë vend. Mendoj se është një ndeshje e vështirë. Ndeshjet nuk janë të njëjta. Besoj se vështirësia e kundërshtarit duket, por ne kemi objektiva të tjerë, objektiva madhorë dhe për këtë arsye duhet të jemi në maksimumin tonë dhe të dalim me fitore", tha fillimisht Ahmataj.