Topi në Report Tv: Shqipëria nuk është gati të futet në BE! Sulmet e Ramës ndaj unionit të tepruara!

14 Korrik 2021, 22:05

Shqipëria nuk është gati që të integrohet në Bashkimin Europian, dhe sulmet e bëra drejt Bashkimit Europian nga kryeministri Edi Rama, ish-presidenti Bamir Topi nuk i sheh aspak të arsyeshme. Përtej keqardhjes që thotë se ndjen për vendin pasi do ta shohë në BE, Topi ka listuar një sërë problematikash që sipas tij nuk shkojnë e që i kanë bllokuar rrugën Shqipërisë drejt Europës. Duke pranuar që edhe BE ka problemet e saj, për Topin, “hallet” e vendit tonë janë shumë herë më të mëdha dhe se procesi u bllokua për faj të Bullgarisë që vuri veton ndaj Maqedonisë së Veriut, sipas tij janë justifikime.

“Në çdo dalje, sulmon BE, do të mjaftonte BE se bëhet fjalë për një nivel të lartë politik, Europa ka problemet e veta, por ne kemi më shumë probleme, kjo është alibi që Rama tenton ta përdorë, por e tepron, nuk mund të sulmohet BE në çdo moment, duket sikur kemi dalë te rrugica e lagjes së vjetër. Nuk është gjuhë politike kjo, nga ana tjetër a jam unë i dyzuar nëse e kemi ne problemin apo ato, sigurisht e kemi të dyja pakët. Ju mendoni se gjërat shkojnë siç duhet në vend. Të përdorësh alibinë e kundërshtimit në një kohë kur nuk i bën për gjërat që i ndodhin vendin, nuk është gjuhë politike kjo. Shqipëria nuk është gati, janë shumë gjëra që nuk shkojnë, ka probleme të mëdha me demokracinë, është një njeri që i ka të gjitha pushtetet, ka një marrëdhënie hegjemoniste në politike, tentohet të mbahet një opozitë që nuk është opozitë, por që nuk i krijon asnjë problem kryeministrit, të mos flasim për administratën. Tani të përdoret një artificë se për shkak të Maqedonisë së Veriut Bullgaria bllokoi Shqipërinë, nuk është alibi për të mbuluar defektet madhore që ka ky vend”, tha Topi.