U helmuan nga kërpudhat që kishin mbledhur në Gjirin e Lalëzit, vdesin tre anëtarë të një familjeje nga Gjilani! Në hetim 2 mjekë, për mjekim të pakujdesshëm

9 Maj 2021, 08:24 | Përditesimi i fundit: 2021-05-09 08:37:25

DURRËS- Një tragjedi e vërtetë ka ndodhur dje në Durrës. Një familje nga Gjilani i Kosovës, 3 anëtarët e saj, kanë humbur jetën. Referuar burimeve zyrtare, ato janë helmuar nga kërpudhat të cilat i kishin mbledhur vetë dhe po i konsumonin në banesën e tyre në Gjirin e Lalzit në Durrës.  Lidhur me ketë ngjarje janë vënë në hetim dhe 2 mjekë të qendrës Shëndetësore Manëz, pasi akuzohen se nuk kanë dhënë mjekimin e duhur.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manëz, kanë proceduar penalisht për veprën penale "Mjekim i pakujdesshëm", shtetasit Sh. B., 54 vjeç  dhe J. K., 60 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek në qëndrën shëndetësore Manëz, pasi si pasojë e përkeqësimit të shëndetit kanë ndërruar jetë shtetasit kosovarë E. H., 78 vjeçe, A. H., 56 vjeç dhe F. H., 57 vjeçe ( famijarë), të cilët nga hetimet paraprake  dyshohet se këta shtetas  kanë mbledhur kërpurdha dhe pasi i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit janë helmuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme", njofton Policia.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka shprehur ngushëllimet e tij familjes Haliti si dhe bëri apeli që të zbardhet rasti sa më parë nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë.

“Me trishtim e mora lajmin për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të tre anëtarëve të familjes suaj, në Shqipëri, Elfete, Afrim e Ferzinaze Haliti. Kjo tragjedi na ka tronditur të gjithëve dhe apeli im është që të ndriçohet rasti sa më parë nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë. Familje e dashur Haliti, ju lus që të bëheni të fortë për ta përballuar këtë tragjedi që na tronditi të gjithë. Zoti ua lehtësoftë dhembjen!”, thuhet në reagimin e Hazirit.