Kryeministri Edi Rama nuk mendon se Ukraina do të anëtarësohet më shpejt se Shqipëria në BE për shkak të luftës ku ndodhet, ndërsa vendi ynë pret prej vitesh një dritë jeshile. Rama tha se Ukraina po përdoret nga persona të ndryshëm për retorika revolucionare por që në të vërtet të gjithë e dinë si funksionon BE dhe se anëtarësimi i saj nuk ka për të qenë i shpejtë.
"Pyetja se a ndjehem unë i shqetësuar që Ukraina mund të hyjë më shpejt në Bashkimin Europian sesa ne që kemi kaq vite që presim, më vë në pozitë sepse duhet të them të vërtetën, apo jo? Unë më shumë jam i shqetësuar se mos Ukraina mendon vërtetë se mund të hyjë më shpejt në Bashkimin Europian, jo se do hyjë më shpejt. Do i thosha edhe atyre që e ushqejnë këtë iluzion për Ukrainën që të mos përdorë Ukrainën për të shprehur entuziazmin e tyre revolucionar nëpër instanca të ndryshme sepse nuk duhet shumë shkencë për të kuptuar se si funksionon Bashkimi Europian dhe kjo nuk mund të ndodhë, sipas meje. Megjithatë, nëse do të ndodhte, nuk do të bëheshim absolutisht xhelozë që Ukraina do të hynte përpara”, tha Rama.
Ndërsa kancelari gjerman Scholz tha se të gjitha vendet duhet të kenë veprime dhe ecje të baraspeshuara në lidhje me vendimet që merren për Ukrainën
“Gjermani theu një traditë për të mos dërguar armë, por pasi morën këtë vendim e ndoqën edhe vende të tjera. Ne kemi pajisur në të kaluara Ukrainë për anti-raketat tokë ajër dhe do e mbështesim më tej me një bashkëpunim të ngushtë me të gjithë miqtë tanë, por jo të kemi ecje të veçuara por të baraspeshuara”, tha Scholz.