Varianti i ri i COVID/ Ulqinaku: S'kemi laboratorë për ta zbuluar! Mostrat do i çojmë në Londër! Alimehmeti: S'prek ato që janë infektuar më parë

22 Dhjetor 2020, 23:22 | Përditesimi i fundit: 2020-12-22 23:40:37

TIRANË- Shqipëria nuk e ka kapacitetin për të zbuluar dhe 'kapur' variantin e ri të COVID-19. Të gjendur në këto kushte si do të veprohet? Dritan Ulqinaku, nëndrejtor i Institutit të Shëndetit Publik, (ISHP) tha se monstrat do të dërgohen në laboratorët në Londër, të cilët janë të parët që e kanë zbuluar këtë virus të ri. Monstrat do të përzgjidhen në mënyrë rastësore, mbi bazën e disa indicieve, si persona kontakti me njerëz që kanë qenë në Lodër, pasi nuk ka ndryshim në simptoma.

"Duhen laboratorë të një standardi që nuk ia vlen t'i futemi. Ne nuk e dallojmë dot, por bëjmë diçka tjetër, marrim mostra të personave me COVID dhe i dërgojmë në Londër, kjo është një mënyrë për të zbuluar nëse janë me COVID të ri apo jo. Tani do fillojnë organizimet e reja për të dërguar mostra në Londër. Do marrim mostra rastësore, mbi disa indicie. Nuk ka sens të krijojmë laboratorë të nivelit 3-4, do shumë investime, shumë siguri, do shumë trajnime të njerëzve që duhen vite", tha Ulqinaku.

Kreu i Urgjencës, Skënder Brataj shtoi se Anglia ka pasur një indicie se numri i të infektuarve po rritej me shpejtësi, prandaj bëri studimet, ndërkohë që në Shqipëri nuk ka pasur një tregues të tillë.  

"Anglia u shqetësua se u rrit përhapja e virusit prandaj nisi shqetësimi dhe studian, dhe ne kur të shohim një tregues të tillë", tha Brataj.

Nga ana tjetër, epidemiologu Ilir Alimehmeti tha se ky virus është shfaqur më tepër tek adoleshentët dhe të vegjlit, prandaj është edhe më pas agresiv.

"Është një formë ndryshe e po të njëjtit virus. Dallohen vetëm në laboratorë, nuk janë mutacionet e para, por rreth 4000 të tjerë vite më parë. Nga ana klinike nuk ka diferenca, apo murtaliteti,  kemi rreth 1100 raste nga varianti i ri i COVID në Angli, ajo që është vënë re është se një numër i madh i tyre është në mosha të vogla, adoleshentësh dhe fëmijësh. Po të kishte ndodhur në Bangladesh nuk do e kishim marrë vesh fare, pse se s'ka laboratorët aq të sofistikuar sa Anglia", tha Alimehmeti.

Ai shtoi se lajmi i mirë është që ky variant i ri nuk ka prekur ato që kanë qenë të infektuar më parë me COVID-19.

"Ato që janë infektuar me këtë virus të ri nuk kanë qenë të infektuar më parë nga COVID-19. Është i njëjti virus me një ndryshim të vogël, që nuk është shfaqur tek ata që kanë qenë të infektuar më herët", përfundoi Alimehmeti.