Vatra në Fushë Arrëz/ Kreu i Zjarrfikësve, Cara: Era e ka nxjerrë situatën jashtë kontrollit, duhet ndërhyrje nga ajri, evakuam banorët!

11 Gusht, 19:10 | Përditesimi: 11 Gusht, 19:10

Situata në zonën e Fushë Arrëzit në qarkun e Shkodrës mbetet kritike, pasi flakët përparojnë të favorizuara nga era.

Drejtori i Përgjithshëm i Zjarrfikëseve, Arben Cara, thotë për Report Tv se aksioni vijon, por është e vështirë ndërhyrja nga toka për shkak të terrenit dhe kërkohet ndërhyrje nga ajri.

“Kemi të bëjmë me një situatë problematike në mbarë vendin. Këtu në fshatin Xath situata si pasojë e erërave ka dalë jashtë kontrolli. Policia ka kryer evakuimin e banorëve. Në këtë vatër kemi kërkuar dhe është e domosdoshme ndërhyrja nga ajri”, u shpreh ai.

Forca të shumta operojnë nga terreni, por flakët të ndihmuara nga era vijojnë të djegin sipërfaqe me pyje dhe të kërcënojnë banesat.

r.k./Shqiptarja.com