Vdekja e 4 turistëve rusë në Qerret plot mister, mediat ruse: Gruaja nuk mund të hynte në sauna, ishte me kancer! Të afërmit: Asnjë nuk konsumonte drogë! Të hënën raporti paraprak

16 Tetor 2021, 22:25

Një familje ruse, prindërit me vajzën dhe dhëndrin u gjetën të vdekur, brenda një saune në hotel "Gloria" në Qerret të Kavajës, ku dyshohet se janë asfiksuar. Trupat e pajetë janë gjetur nga recepsionistja e hotelit, e cila dëshmoi se i ka thirrur disa herë por nuk i janë përgjigjur.   Çifti rus Natalia dhe Sergei Burenkova, vajza e tyre Ekaterina dhe burri i saj Nikita Belousov para se të qendronin në sauna ku dhe u gjetën të vdekur, përdorën  SPA dhe pishinën.

Vdekja e 4 turistëve rusë vijon të jetë e rrethuar me mister e dyshime të forta për rrethanat, të cilat do të mund të qartësohen të hënën, pas ekspertizës mjeko-ligjore.  Policia nuk ka përjashtuar deri më tani asnjë shkak që lidhet me vdekjen e tyre, ndërsa paraprakisht përveç dyshimeve se 4 familjarët kanë qëndruar më shumë sesa duhet në sauna, nuk përjashtohet edhe konsumimi i alkolit, dhe i lëndëve narkotike nga ana e tyre.