Prurjet në lumin Shushicë kanë arritur në nivel maksimal. Si pasojë e këtyre prurjeve, Shushica po merr para hektarë të tërë tokash bujqësore, pemë frutore, dhera, por edhe gurë.
Lumi Shushicë aktualisht mund të cilësohet kryesisht brenda shtratit të tij, por ka edhe shumë zona ku ka dalë jashtë shtratit, duke përmbytur toka bujqësore dhe kullota. Prurjet janë në rritje e sipër, çka rrezikon që, nëse vijojnë me të njëjtin intensitet, të ketë dalje të Shushicës nga shtrati.
Ndërkohë, vlen të theksohet se prurjet në nivele të larta në Shushicë ndikojnë edhe në lumin Vjosë, pasi Shushica derdhet në Vjosë dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në shtimin e sasisë së ujërave që përfundojnë në këtë lumë.
Në vijimësi, për shkak të prurjeve, rrezikohen edhe hektarë të tjerë tokash bujqësore. Rreziku për banesat mbetet ende i largët, por nuk përjashtohet mundësia e përmbytjes së tyre nëse prurjet shtohen me intensitet.
Të rrezikuara janë gjithashtu edhe disa stalla apo ambiente për bagëti, të cilat ndodhen pranë shtratit të lumit.

















