6 vrasje në 6 ditë/ Sociologu Gëzim Tushi: Krimi është banalizuar! Indiferenca e shoqërisë alarmante

7 Qershor 2021, 13:44 | Përditesimi i fundit: 2021-06-08 08:44:26

TIRANË- 6 vrasje në 6 ditë....për këtë bilanc të rënduar, sociologu Gëzim Tushi, liston një sërë arsyesh ku më kryesoren sheh pandëshkueshmërinë nga shteti që fuqizon kriminelët dhe indiferentizmin e shoqërisë. Tushi shkon që në gjenezë të këtij masivizimi të kriminalitetit, siç ai e ka quajtur. Në intervistën e dhënë për Report Tv, Tushi e sheh ngërçin që te shkolla, e që kulom me zvarritjen e Reformës në Drejtësi. Tushi tha situata është alarmante, kjo pasi jo vetëm që kemi një numër të lartë vrasjes, por ajo që e bën më të rëndë janë motive, sipas tij krejtësisht banale.

“Një nga arsyet është zvarritja Reformës në Drejtësi, ulja e forcës goditëse të shtetit, kriminelët e kanë kuptuar këtë. Ne jemi shoqëri që kemi dalë nga diktatura dhe njeriu ose ka ndërgjegjen e tij që e ndalon të bëjë krim ose frika nga ligji dhe kjo e bën që krimi të përvëlojë.  Pjesa më e madhe e krimit është krim në familje, ne nuk po merremi me edukimin e njerëzve, po gëlojnë bulizmi, njeriu që e ka mendjen vetëm te paratë, shkolla bën pak dhe mos harroni që në shkollë mund të dalin mirë në rezultate, por mund të dal më pas dikush që vret, ka një zgjerim të madh të lëndëve psikotrope. Shoqëria shqiptare po kthehet në spital psikiatrik, nga këto njerëz, janë të frikshëm kur i sheh në rrugë, po shtohet numri i atyre që nuk po shkojnë në shkollë, dhe ato bëjnë dhe krime, Po bëhet shumë i lehtë profesioni i vrasësit me pagesë. Krimi në shoqëri jo vetëm është masivizuar, por edhe banalizuar. I ka të gjitha format, me thikë, me armë, me helm. Ky është një alarm social i vërtetë që duhet të prekë politikën që të mos qëndrojnë indiferentë. Të humbësh jetën për një gotë raki është e llahtarshme, kjo është botë kafshësh”, tha Tushi.