Vrau nënkomisarin Saimir Hoxha në Lezhë, ndërron jetë në spital 21-vjeçari Aldi Rama! Qëlloi veten me pistoletë në fyt

29 Shtator 2021, 08:25 | Përditesimi: 29 Shtator 2021, 08:25

Aldi Rama, 21-vjeçari që vrau dje nënkomisarin Saimir Hoxha në Lezhë, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në spitalin e Traumës. I riu qëlloi veten me pistoletë në fyt, në lagunën e Kune-Vainit gjatë operacionit të RENEA-s për arrestimin e tij, pas vrasjes së efektivit të policisë.

Ngjarja e rëndë u shënua mëngjesin e së martës (28 shtator) në zonën e Ishull Lezhë, ku Aldi Rama hapi zjarr ndaj efektivëve të policisë, e ku mbeti i vdekur në krye të detyrës nënkomisari Saimir Hoxha, babai i dy fëmijëve. Aldi Rama, i rritur nga gjyshërit, pasi prindërit i kishte të divorcuar, ishte me precedent të mëparshëm penal. Në moshën 18-vjeçare kishte përfunduar në burg, pasi ishte akuzuar për vjedhje dhe posedim kanabisi, ndërkohë që ishte kallëzuar edhe nga e dashura e tij për dhunë fizike. Edhe në vitin 2020 ai është ndaluar sërish për mbajtje pa leje e armëve të ftohta.

r.k./Shqiptarja.com