Zgjedhjet vendore të 2019, seancë maratonë prej 9 orësh në gjykatë! ‘Kushtetuesja’ vendos të pezullojë gjykimin, do i drejtohet ‘Venecias’

23 Qershor 2021, 21:10 | Përditesimi i fundit: 2021-06-23 22:51:07

TIRANË-Gjykata Kushtetuese zhvilloi një seancë maratonë në lidhje me legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 2019. Në seancë diskutimet dhe parashtrimi i argumenteve të palëve ka zgjatur mbi 9 orë dhe në fund Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë gjykimin për këtë çështje dhe t’i drejtohet Komisionit të Venecias. Palët e përfshira në këtë çështje Presidenti Republikës së Shqipërisë, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Avokati i Popullit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Partia Bindja Demokratike dhe Voltana Ademi në emër të kryetares së Shoqatës së Bashkive kanë të drejtë të depozitojnë deri me 25 qershor vetëm nga një pyetje për Komisionin e Venecias. Më pas Gjykata Kushtuese do i drejtohet Komisionit  të Venecias me pyetjen e saj dhe pyetjen e palëve për të marrë përgjigjet dhe argumentet e Venecias.

Gjatë ditës pati diskutime të shumta ku Këshilli i Ministrave kërkoi që të ketë pezullim të çështjes pasi nuk ka aket për legjitimim palësh, pasi s'ka kopje të statutit të shoqatës së bashkisë në emër të të cilës Voltana Ademi ka bërë kërkesë, dhe që tashmë nuk është kryetare. Sipas juristes së qeverisë, Elira Kokona, këto janë thelbësore për vijimin e gjykimit. Nëse nga aktet e shoqatës rezulton se s'kanë firmosur organet dhe znj. Ademi s'ka tagër dhe legjitimim. Për këto kërkohet pezullim i gjykimit deri sa Gjykata e Tiranës të marrë një vendim për organet drejtuese. Kërkesa tjetër e Këshillit të Ministrave ishte që të pushohet çështja pasi sipas tyre gjykata Kushtetuese nuk është kompetente në këtë çështje. Nga ana e tij përfaqësuesi ligjor i Voltana Ademit, Jordan Daci,u shpreh se janë dorëzuar në Gjykatë edhe statuti, edhe akti i themelit e gjithçka nga Gjykata e Tiranës. Sipas tij s'ka çështje tjetër pasi vetë Gjykata e Tiranës  ka kthyer aktet për pretendimet e të tjerëve

Ndërkohë që Kokona i është përgjigjur se në këto momente nuk dihet situata e organeve drejtuese të shoqatës.  Për këto kërkesa të Këshillit të Ministrave por edhe për një kërkesë të lejimit të Shoqatë për Autonomi vendore që të jetë subjekt pjesëmarrës në këtë gjykim, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos i pranojë. 

Subjektet e interesuara për çështjen janë Presidenti Republikës së Shqipërisë, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Avokati i Popullit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Partia Bindja Demokratike.

Objekti i kërkesës së Gjykatës Kushtetuese ka të bëjë me konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve si dhe për Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.

Më 18 korrik 2019, kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi ankimoi në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ku kërkon që ky proces zgjedhor të mos njihet. Ademi kërkoi se kërkesa e dorëzuar nuk ka të bëjë vetëm me ankimimin e procesit zgjedhor por edhe me verifikimin e regjistrimit të Bindjes Demokratike.

Ademi paraqiti në Gjykatën Kushtetuese një padi në emër të bashkive të Shqipërisë, një shoqatë e drejtuar prej vetë asaj, përmes të cilës kërkon që procesi i zgjedhjeve të 30 qershorit të mos njihet.

Megjithatë në proces mund të ndikohet edhe fakti se në datën 8 qershor Voltana Ademi u shkarkua nga posti i kryetares së shoqatës së bashkive të Shqipërisë dhe në vend të saj u zgjodh kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu. Ky vendim u  konsiderua nul nga Voltana Ademi pasi personat që kanë lajmëruar shkarkimin e saj nuk janë anëtarë të shoqatës, por janë anëtarëve të Shoqatës së Autonomisë Vendore. Ajo madje ka paditur në gjykatë kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreun, ku kërkon që të shpallen të paligjshme zgjedhjet e tij në krye të shoqatës. Kësaj padie Pjerin Ndreu iu përgjigj me faktin se Voltana Ademi nuk mund të deligjitmojë kryetarët e bashkive dhe se Shoqata e Bashkive nuk është pronë e saj. Se sa do të ndikojë ky konflikt për procesin në Kushtetuese për zgjedhjet e 2019-s pritet që të shihet.