Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e Kalivaçit në Lezhë, duke rrezikuar zonën e banuar.
Flakët janë përhapur me shpejtësi në disa drejtime, të favorizuara edhe nga era e fortë që po përfshin zonën. Situata paraqitet e vështirë, ndërsa zjarri vijon të zgjerojë perimetrin.
Mësohet se janë disa banesa, të banuara dhe të pabanuara, të cilat janë djegur. Në zonë janë dëgjuar edhe shpërthime, të cilat dyshohet të jenë shkaktuar nga municione të pashpërthyera që gjenden në zonë.
Në terren ndodhen banorë të zonës, së bashku me strukturat e emergjencave dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe vënien nën kontroll të flakëve.
Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit dhe afërsisë me zonën e banuar, situata mbetet shqetësuese dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Një helikopter po ndihmon forcat zjarrfikëse nga ajri për shuarjen e flakëve.













