Prefektura e Qarkut Korçë ka njoftuar se vijojnë operacionet për shuarjen dhe monitorimin e vatrave të zjarrit në qark, me një angazhim të gjerë të forcave.
Sipas informacionit zyrtar të datës 27 korrik 2025, ora 08:30, në terren janë angazhuar rreth 171 forca njerëzore, ndër to efektivë të shërbimit zjarrfikës, strukturave pyjore, njësive administrative dhe repartit ushtarak 1033 Drenovë.
Në operacion po përdoren gjithashtu 7 mjete zjarrfikëse të tipeve të ndryshme dhe 5 mushka të ngarkuara me ujë dhe mjete shuarjeje, për të mundësuar ndërhyrjen në zonat me akses të vështirë.
Për orientimin dhe mbikëqyrjen e situatës nga ajri, janë vënë në përdorim dronë të cilët ndihmojnë në koordinimin e operacioneve. Autoritetet vijojnë të monitorojnë nga afër gjendjen dhe të ndërhyjnë për neutralizimin e çdo vatre aktive.















