Zjarri në Delvinë, Vengu për Report Tv: Situata është stabilizuar! Zjarri u përhap brenda 1 ore nga era e fortë! Në qytet janë 13 mjete zjarrfikëse dhe afro 200 zjarrfikës e ushtarë

13 Gusht, 01:15 | Përditesimi: 13 Gusht, 01:15

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu pati një prononcim për Report Tv nga Delvina, pas mbledhjes në godinën e bashkisë me drejtues të strukturave vendore dhe qëndrore të emergjencave civile, me qëllim krijimin e një strategjie për përballimin e situatës me zjarret në këtë qytet, dhe jo vetëm.

Ai tha se zjarret në Delvinë u përhapën me shpejtësi brenda 1 ore gjatë mbrëmjes, për shkak të erës së fortë, ndonëse vatrat aktive ishin raportuat më herët.

“Gjendemi në bashkinë e Delvinës. Sapo kemi kryer një mbledhje të përbashkët me aktorë të përfshirë në mbrojtjen civile, pushtetin vendor, prefekturën, kryetarin e bashkisë dhe forcat e armatosura. Çështë e vërteta në një hark kohor prej një orë mbrëmje, kur Delvina u përfshi nga flakë shumë intensive, me erëra të forta, çka solli një rrezik të menjëhershëm në zonat e banuara dhe lagjet periferike të qytetit”,- tha Vengu.

Ministri deklaroi se në mbështetje të strukturave të bashkisë Delvinë, kanë ardhur në ndihmë forca nga të gjitha bashkitë e Qarkut Vlorë. Në fund të deklaratës së tij, Vengu tha se situata është stabilizuar dhe banorët janë në kushte të kenë një natë më të qetë.

"Në mbështetje kanë ardhur gjithashtu edhe nga bashkia e Sarandës, të gjitha bashkitë e qarkut kanë dërguar mjete.  Ndodhen 13 mjete në qytet, ndërsa kemi 100 trupa nga forcat e armatosura dhe po aq zjarrfikës. Në lartësitë e Delvinës ka edhe disa puse, ndaj të cilave kemi pasur edhe vëmendje të veçantë. Banorët janë në kushte të kenë një natë më të qetë”,- tha Vengu.

r.k./Shqiptarja.com