20-Vjet pa Tasim Gjokutaj, shkrimtarin që u shtoi buzëqeshjen fëmijëve

20-Vjet pa Tasim Gjokutaj, shkrimtarin që u shtoi buzëqeshjen fëmijëve

Libra të shkrimtarit Tasim Gjokutaj

Tasim Gjokutaj - figurë e shquar e arsimit dhe e kulturës shqiptare, mësues e pedagog, studiues e shkrimtar i talentuar. Prilli është muaji i lindjes dhe i ndarjes nga jeta për shkrimtarin Tasim Gjokutaj. Lindi në Kuçin e luftrave për liri në kulmin e operacionit nazist të dimrit të vitit 1944 dhe mbylli sytë përgjithmonë më 12 prill, 20 vjet më parë duke mbetur në mendjen dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve si mësuesi, shkrimtari dhe studiuesi, një prej penave më të spikatura e më të dashura të letërsisë për të vegjëlit, e cila ka mbetur e freskët e më vlerë edhe sot pas dy dekadash.

Tasimi jetoi vetëm 54 vjet dhe jeta e tij që në rini ishte një kalvar sëmundjesh e vuajtjesh fizike që nuk iu ndanë deri në fund. Por shpirti i tij i pamposhtur, dashuria për jetën dhe forca e karakterit bënë që ai të rritej e të formohej, të burrërohej e të krijonte familjen që ëndërronte dhe të krijonte personalitetin e tij intelektual e krijues falë dashurisë për mësimin e dijen, por edhe dhuntisë e talentit që buronte që nga origjina e tij e ndritur, Kuçi i Kurveleshit, përshtatur me finesën dh delikatesën gjirokastrite, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës. Rrallë mund të ndeshësh në jetë një njeri të tillë që bashkëudhëtoi që nga rinia me një sërë sëmundjesh të pabesa dhe askush nuk e pa të ligështohej apo ankohej, veç e motivuan për t’i përballuar e për të dhënë kontributin e tij të vyer në një sërë fushash si arsimi e edukimi, krijimtaria në letërsinë humoristike për fëmijë dhe studimet letrare e folklorike.

Formimi i tij universitar i vuri si mision arsimimin dhe edukimin e brezit të ri, në fillim në Libohovë, pastaj në Gjirokastër, si drejtues i Bibliotekës së Fëmijëve, më pas si lektor në Universitetin “Eqerem Çabej” të këtij qyteti. Puna e kontaktet e vazhdueshme me fëmijët e moshave të ndryshme bënë që Tasimi të njihte nga afër dhe të hynte thellë në botën e brëndshme të kësaj moshe, nga ku do të merrte dhe tematikën dhe pjesën më të madhe të subjekteve për krijimtarinë e tij letrare.

Nxitës dhe propagandues i librit dhe të lexuarit, organizator i veprimtarive të vazhdueshme letrare, kulturore e artistke, ai do të mbetet i paharruar për një sërë talentesh të reja në fushën e krijimtarisë letrare që e ndjenë nga afër nxitjen e mbështetjen e mjeshtrit të penës dhe të vargut të zhdërvjellët humoristik. Një pjesë e tyre sot janë shkrimtarë aktivë e më kontribute në letërsinë kombëtare.

Por zot i fushës dhe ajo që e bëri të dashur dhe të paharrueshëm emrin dhe veprën e tij është krijimtaria letrare, në mënyrë të veçantë krijimtaria humoristike për fëmijë e cila, veç vlerave artistike dhe edukative, u bë gjithandej vendit lajtmotivi i kritikës dhe qortimit me humor të sjelljeve jo të përshtatshme dhe veseve të vogla të fëmijëve në çdo shkollë dhe çdo familjeje shqiptare. Me rreth 30 librat që arriti të botojë, shumica me vjersha e poema për fëmijë, kryesisht humoristike, kritika e ka vlerësuar si simbol dhe mjeshtër të kësaj letërsie. Ai, edhe sot pas 20 vjetësh mbetet një nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë për fëmijë, si dhe një nga emrat më të dashur e më të kërkuar nga vetë fëmijët.

Por pjesë e krijimtarisë së Tasim Gjokutaj është edhe skena, për të cilën ka shkruar shumë pjesë për kukullat, disa librete për estradën e fëmijëve e të rriturve, por edhe tekste këngësh që janë kompozuar e kanë marrë edhe çmime në festivale të ndryshme.

Dy kolanat e veprave të tij të zgjedhura, ““Buronja humori”, në 7 vëllime dhe “Zemër fëminore”, në 5 vëllime, vazhdojnë të mbeten edhe sot nga librat më të kërkuara në tregun e brishtë të librit në Shqipëri.

Vlera edukative dhe artistike e veprës së tij bëhet edhe më e madhe sot kur letërsia për fëmijë është në një pozitë jo fort të ndritur dhe kur pjesa më e madhe e etërve themelues të saj nuk janë më midis nesh... Me pak përjashtime një brez i ri krijuesish për fëmijë nuk duket akoma i konsoliduar dhe tregun e librit shqip për fëmijë po e mbyt letërsia e përkthyer, më shumë e llangosur me bojra sesa me vlera artistike dhe edukative.

Por figura e shkrimtarit dhe petagogut Tasim Gjokutaj nuk do të ishte e plotë pa veprimtarinë studimore e shkencore të tij. Gjatë viteve që punoi si pedagog në Universitetin e Gjirokastrës, Tasim Gjokutaj u muar edhe me punë shkencore, fryt i të cilave janë dy librat me studime: “Lirikat e dasmës gjirokastrite” dhe “Letërsia për fëmijë”.

Jeta dhe vepra e Tasim Gjokutaj janë vlerësuar në të gjallë të tij dhe pas vdekjes me shumë çmime letrare kombëtare, me Urdhërin “Naim Frashëri” nga Presidenti i Republikës, “Nderi i Qarkut të Gjirokastrës”, “Doktor i Shkencave Filologjike”, “Personalitet i Shquar i Labërisë” etj. Një rrugë në qytetin e Vlorës mban emrin “Tasim Gjokutaj”, biblioteka e fëmijëve e qytetit të Gjirokastrës mban, gjithashtu, emrin e tij, ndërsa Instituti i Librit dhe i Promocionit (ILP) dhe Shtëpia Botuese “Toena” themeluan çmimin letrar vjetor “Tasim Gjokutaj” për veprën më të mirë për fëmijë botuar gjatë vitit.


(Shkrimtari Tasim Gjokutaj)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Interpelancë për emisionin e Rai-t, Rama: S'ka urgjencë për poshtërimin e radhës në parlament! Të mbarojmë punë me të vërtetën italisht, pastaj radha këtyre

Interpelancë për emisionin e Rai-t, Rama: S'ka urgjencë për poshtërimin e radhës në parlament! Të mbarojmë punë me të vërtetën italisht, pastaj radha këtyre