Kryeministri Edi Rama komentoi nga foltorja e Kuvendit akuzat e opozitës për vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Kreu i qeverisë tha se akuzat e demokratëve janë një avaz i vjetër i opozitës, të cilat asnjëherë nuk kanë gjetur lidhje apo përgjegjësi në ngarkim të ministrit.  

Ai tha se nëse këto sulme do ishin të drejta mbi Xhafajn, të parët sipas tij do kishin reaguar ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu dhe përfaqësuesja e delegacionit të BE, Romana Vlahutin. 

Sipas kreut të qeverisë, qëndrimet e opozitës janë në vijim të sjelljes për të bllokuar çeljen e negociatave me BE-në. Dhe si analogji për këtë Rama iu referua pikërisht sjelljes në seancën e sotme, ku PD e LSI bllokuan foltoren për disa minuta si dhe bojkotuan punimet e Kuvendit

Sapo asistuam në një garë të ndezur për lidershipin e PD në rrjetet sociale, ku kryetari i PD dhe lideri legjendar garuan secili në ekranin e mrrokllës së vet dixhitale se kush shan, shfryn dhe lëshon më shumë baltë nga goja. Për fat të keq u larguan pa pritur të dëgjojnë atë që u takon, qoftë për rastin në fjalë, qoftë edhe për atë çka fshihet, por fshihet zbuluar në këtë orvatje të re histerie.

Dje MB foli dhe nuk tha asgjë të re, përsëriti çfarë ka thënë disa herë në harkun e më shumë se 15 vjetëve. Ndërkohë që pasqyrat mediatike e përcollën rizbulimin si një zbulim, fatkeqësisht, pa u thënë shikuesve dhe lexuesve se më parë jo njëherë, por disa herë në vetë ato pasqyra kjo çështje ka dalë dhe ridalë, kur është dashur të sulmohet direkt Fatmir Xhafa, apo qeveria ose grupi parlamentar i PS në momente ngacmuese për këta që sot një avaz të vjetër ua shesin shqiptarëve si një zbulim të ri.

Rasti më i fund kur kjo çështje është shfaqur në mediat pranë SHQUP ka qenë në kulmin e përpjekjes për të reformuar drejtësinë, fakti është i njohur botërisht, por jo vetëm për shqiptarët që e kanë pasur mendjen në atë moment kur ky fakt është dashur, por i njohur edhe nga ndërkombëtarët.

Nëse në këtë zurna do të kishte një grimcë përgjegjësi të ministrit tonë të Brendshëm, përpara se të flisnin këta, do fliste miku ynë protagonist i jetës sonë publike, ambasadori amerikan dhe i BE. Do flisnin ata që nuk kanë lënë rast pa folur, pasi nuk kanë lënë rast pa verifikuar. Ata as kanë folur dhe as kanë çfarë të thonë fare. Për ata ky është një fakt i njohur dhe nuk përbën asnjë implikim direkt ose indirekt qoftë të qeverisë së këtyre, qoftë tonën.

Edi Rama, kryeministër

'613 kg kokainë në Durrës'/Rama: Prokuroria taposi hetimet
Kryeministri Rama, akuza të forta ka lëshuar ndaj Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për atë që ai e cilësoi taposje e hetimeve për kapjen e sasisë rekord të kokainës në Durrës, e për të cilën tashmë është në pranga Arbër Cekaj, arrestuar në Gjermani.

Po ua them sot shqiptarëve, se çështja e kokainës, tani që lufta me kanabisin është histori e së shkuarës, çështja e kokainës është problemi i tyre dhe kjo nuk është pjesë e asaj politikës kush të shajë më shumë. Historia e kokainës së kapur së fundi nuk ka nisur dje dhe arrestimi i atij personit është i lidhur me një histori që ka filluar më parë, dhe të cilën Prokuroria e Krimeve të rënda duhet ta kishte hetuar më parë, por ne nuk jemi si këta, nuk marrim informacione dhe copa letrash nga institucionet dhe dalim dhe bëjmë gjyqin e këtyre.

Ne presim, kemi durim të madh për të mbajtur dhe për të dhënë megjithë koston e madhe perceptimit të opinionit se jemi të gjithë njësoj, por problemi qenkemi ne, se kanabisi u njoh si farë kur fituam zgjedhjet ne në 2013-ën.

E vërteta e lidhur me trafikun e kokainës, me operacionin që çoi në pranga një eksponent të rëndësishëm por jo te vetmin e trafikut, me taposjen e kanalit të hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda do dalë. Mund të vonojë por do të dalë.