“Bij të Adamit” Pema e fortë me biskun e ri

“Bij të Adamit”  Pema e fortë me biskun e ri

Libri 'Biri i Adamit'

Nuk është e lehtë të hapësh dyert e një shpirti poetik si shkrimtari i mirënjohur Besnik Mustafai dhe të hysh thellë, aty ku magma e tij vlon dhe misteri që vetë poezia ka, struket e fsheh kokën; kjo kërkon kodin e vet të kuptimit dhe interpretimit. E para gjë që mua më tronditi dhe më tërhoqi ishte rrjedha e pazhurmë e mendimit, kur vitet gremisen bri teje dhe trishtimi, dëshpërimi, përhumbja, mbase dhe absurdi dhe gjithë kotësitë, janë aty, si një kafe mëngjesi, në jetën që tashmë ka këmbyer gjeth dhe vjeshta e bën të artë pemën e saj.

Shpesh herë e gjitha kjo vjen e shoqëruar nga një tis mallëngjimi e nostalgjie, që sikur dhemb nga vrapi i kohës, që edhe të mençuron, edhe të këndell, edhe të huton. Të tria këto ndjesi unë i kam prekur. Poeti qysh në titull e quan veten dhe gjithë sivëllezërit e tij “Bij të Adamit”, ku gjithçka është po aq e vjetër, zanafillore sa ç‘ishte dhe dje.

Dhe kështu do të jetë. Miti biblik jo thjesht riciklohet, por merr kuptimësitë e kohës që jetojmë, kontotohet si i tillë, ndaj dhe vetmia e pashoq e burrit ka kërkuar dhe kërkon përherë dytësin e vet, Evën e hershme të mollës e tundimit dhe gjithë Evat e sotme, ku njeriu nga një bëhet dy, kur siç shprehet poeti “gjaku ngrihet përpjetë nga zemra te gjuha në një puthje”, sikurse vjen çiltazi kjo ndjeshmëri e gjithëhershme te poezia “Zbulimi i burrit”. Sepse dashuria është shpirti lëvizës, kur vetmia, heshtja dhe egua thyhen dhe nevoja për solidaritet e komunikim njerëzor na shfaqen si zbulesa të përjetshme, ca më shumë në skajtë e kohës sonë të shkretuar nga cinizmi, vetmia dhe virtualiteti i komunikimit. Poeti nuk shtiret, as thur vargje me shfrime lirike. Ka ikur ajo kohë. Por ai e vuan dashurinë dhe humbjen e saj.

Sepse kur dashuria vritet e gjakohet nga falsiteti dhe puritanizmi mbytës i moralitetit të zbrazët, siç ndodhte në periudhën e komunizmit, kur asaj i thahet lulnaja e befasisë dhe brishtësia, njeriu shndërrohet në një burrë a grua pa shije, në shtatore të ngurtë, kurse vetë dashuria në rit të përzishëm, me trupat dhe mendjet  ashtu të lodhura e të përgjumura në shtratin martesor, vdekur në gjumin pa ëndrra nga stërmundimi i përditshmërisë dhe “moraliteti” që i budallalleps padashje. Në atë çast mbaron dhe vdes aventura që dashuria në vetvete ka, varka e Noes mbytet, Don Kishotët e mallëngjyer, patetikë dhe ëndërrimtarë që i shkruajnë plot afsh Dylqinjave të tyre quhen tashmë naivë e idiotë, Dantet e Mozartët diku gremisen, thyejnë qafën, gjithçka hesht si varri, hesht klorofila e një puthjeje, hesht mbresa e një takimi, heshtin dy vargje kryeneçe, qoftë dhe marrake, hesht një letër, gjithçka është tharë. Ky është tmerri.

Lexoni vjershat “Kush tha se vdiqën ëndërrimtarët e dashurisë së vrarë”, “Ars poetika”, “Poemë politike”, “Nevojë për pak dashuri”, “S’kam më kohë për harrim” etj., dhe besoj do jeni të një mendje me mua. Dashuria në vargjet e Mustafait nuk është një qiell zjarri me fjalë përshkënditëse, përkundrazi ajo vjen si e heshtur, pa bujë, nën qyrkun e moshës dhe dëshpërimeve të saj, më pendesa të sinqerta sa dhe me përhirime të fundme, një ag i bukur, ku pendët e një Feniksi shpupuriten nga gacat për të rilindur nëpërmjet memories dhe nostalgjisë, të dyja nën një pikëllim të ëmbël, sikurse unë e pashë te poezia “Skam më kohë për harrim”. Ja, po sjell veç këto  vargje:

“Ku jam?

 Kush jam?

 Pa ty dhe me ty.

Pezull si një qiell vjeshte në muzg.

Edhe mbrëmja ka rënë, edhe dita nuk ka perënduar.”

Mendimi i figurshëm poetik i Mustafait rëndom epohet drej lëvozhgës mitike, ku metaforat dhe parabola ripërtërihen gjithëherë nën gravitetin e dëshpërimit të kohës, tjetërsimeve që zhbëjnë shumëçka dhe lënë pas gërmadha ndjenjash. Por ai herëpashere e rimer motivin nga para viteve ’90, duke përplasur kohët dhe mendësitë për të mbërritur në limeret e trishtë të të sotmes, jo rrallë herë i zhgënjyer thellë me kohën që paska rrëshqitur si kumi i hollë gishtave, paçka se lëvozhga e vjetër dhe e pandryshueshme e dashurisë e shoqëron njeriun edhe në shekullin XXI e shekuj të tjerë më pas, si një sfidë bukurie (Vjersha “Një histori romantike për shekullin XXI”).  Dashuria i ka të dy kahet, butësinë dhe ashpërsinë, maestralin e lehtë nokturnit të një perëndimi dielli apo tufanin që ngre peshë dallgët dhe shkul lisa të moçëm, është po njësoj dobësi dhe fuqi, brishtësi dhe  krenari, prandaj dhe siç pohon me mprehtësi poeti, Perëndia e saj është si një Eol, Zoti i plotpushtetshëm i erërave që shakullijnë dhe të vërtisin horizonteve skaj me skaj, në mëri dhe përkushtim, në ëmbëlsi e tërbim, sa në grindjen vramendëse aq dhe në paqen e ëmbël.

Ani pse vargjet e Mustafait prekin ide dhe gjendje mendore ku njeriu, shoqëria, atdheu, kombi, madje krejt gjithësia ecejaken në shtjellën e vetë kohës sot, ani pse mendja e tij shkon e vjen herëpashere para dhe pas viteve ’90, diku në vjershërime të ndaluara e të ruajtura sirtarëve për një ditë tjetër në letra të vjetra, “ndryshe” brymës së realizmit socialist, gjithsesi ai nuk e lëshon boshtin ku rrethrrotullohet qenia dhe ndjeshmëria e tij kryesore: Dashuria. Burri dhe gruaja janë si fluturat që vrapojnë verbërisht drejt dritës dhe aty digjen. Edhe kur s’është, kjo ndjenjë hyn tinëz në mendjen e poetit, kërkon vendin e vet. Koncepti i tij nuk e sjell dashurinë si diçka mes gjëmimesh, patosesh të jashtme, tam-tamesh, as si diçka që thahet, që zverdhet dhe që vetëvritet nga pezmi dhe neveria, kur gjithçka ka ndryshuar ngjyrë. Jo! Sipas meje ajo është e vetvetishme, e thjeshtë, e pabëzajtë, padyshim në një kohë maturimi dhe tjetërsimi, sikurse e hasim edhe në këto vargje te poezia “Vij të të shoh”:

Midis nesh s’ka bosh. S’ka pushim midis nesh.

Jashtë s’bie shi. S’ka as diell. S’ka hënë.

As qiell thjesht s’ka.

Në botën e pabanueshme të ëndrrës endemi,

pa një pikënisje, pa një pikëmbërritje.

Jeta, e gjitha, është një ëndërr. Edhe dashuria e tillë është. Por kjo është një ëndërr ndryshe, pa shumë nokturne, pa shi dhe diell, pa hënë – këtë perëndeshë aq shumë të pranishme e të konsumuar të poezisë. Kësisoj, dashuria kthehet në një gjëzë të qenësishme, në bulb, në tharm të jetës, e brendësuar në qenie, thellësisht ekzistenciale, pa mohuar asnjëherë “qerpikët e përcëlluar dhe shkrepëtimat e rrufeve si qershi”...

Do doja të shprehesha më gjatë, por në librin “Biri i Adamit” të Mustafait hodha sytë dhe më mbetën më së shumti aty vargjet kushtuar ndjenjës së madhe të dashurisë, më të fuqishmes dhe më sublimes, sepse ajo nuk ndan dy vetë, por i bashkon ata, në gaz e trishtim, në ëmbëlsi e hidhërim, në mungesë e prani, në vrull e paqe dhe te gjithë kontrastet që vetë qenia njerëzore ka…

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)