TIRANE-Shkrimtari Besnik Mustafaj, ish-ministër i punëve të jashtme dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike do të rikthehet sërish në selinë blu.

Gazetarja e Report Tv  Danjela Maloku mëson nga burime pranë selisë blu se lidershipi demokrat i ka propozuar Mustafajt që të jetë pjesë e komisionit që do të vlerësojë kandidatët për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2021.

Në krye të këtij komisioni pritet që të jetë Genc Ruli, një tjetër i larguar nga Lulzim Basha në 2017.

Komisioni për vlerësimin e kandidatëve për deputetë ende nuk është ngritur, por Lulzim Basha po tenton që të pajtohet me gardën e vjetër duke u propozuar rikthimin në këtë strukturë.

Përveç Rulit dhe Mustafajt pritet që në ditët në vijim të zbulohen edhe emrat e tjera që do të jenë pjesë e këtij komisioni.