MAT- Mes dhimbjes dhe lotëve tre viktimave të masakrës së Matit iu është dhënë lamtumira e fundit mesditën e kësaj të premte, ku kanë marrë pjesë qindra njerëz, miq, të afërm si dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Mentor Hoxha dhe Erzen Alija ishin punonjës të Bashkisë, ndërsa Hamit Buçi ishte banor i fshatit Shëlli, i cili në momentin e zbrazjes së kallashnikovit nga Kujtim Koxha, ndodhej në shoqërinë e tyre duke drekuar. Gazetari i  'Report Tv', Artan Rizdvani, ka bërë me dije se rreth orës 17:00 në Mat për të vizituar familjarët e viktimave do të shkojë edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ndërsa në ceremoninë mortore ndodhej edhe deputeti i LSI, Përparim Spahiu.

Nga breshëria e automatikut për një sherr banal mbeti i plagosur rëndë edhe Astrit Hani, i cili në një prononcim për Report Tv deklaroi se autori ka qenë duke pirë raki me ta dhe në momentin kur ka hapur zjarr në drejtim të lokalit, ishte në gjendje të dehur.

Cermonia Mortore për 3 viktimat në Mat

Ditën e djeshme, Këshilli i Bashkisë Mat ka shpallur “Nderi i Bashkisë” tre punonjësit e vrarë, ka vendosur uljen e flamurit në gjysmë-shtizë dhe mori përsipër shpenzimet e funeraleve të viktimave duke ofruar shumën e 9 milion lekëve.

NGJARJA

Masakra e Matit ka ndodhur mesditën e djeshme rreth orës 12:30, ku autori Kujtim Hoxha iu ka thënë punonjësve të bashkisë: Përse nuk vini dhe më shtroni rrugën afër shtëpisë time, përse po shtroni vetëm këtë rrugë?

Në këtë moment, shoferi i kamionçinës, Erzen Aliaj ka debatuar jashtë lokalit me Kujtim Koxhën dhe e ka qëlluar me shuplakë. Më pas, autori ka shkuar në banesë, ka marrë armën dhe më pas ka qëlluar punonjësit që po konsumonin drekë duke lënë të vdekur Mentor Hoxhën, Hamit Buçin dhe Erzen Alijan, ndërsa ka plagosur rëndë Astrit Hani.