MAT- Tre të vrarë dhe 1 i plagosur, ky është bilanci i një konflikti në fshatin Shëlli në Njësinë Administrative Lis të rrethit të Matit. Viktimat janë 2 punonjës të bashkisë Mat, Mentor Hoxha, Erzen Aliaj dhe një banor i fshatit, Hamit Buçi. Fillimisht i vdekur në vendin e ngjarjes u deklarua vetëm Mentor Hoxha, ndërsa Aliaj dhe Buçi humbën jetën rreth dy orë pas ngjarjes. Erzen Aliaj humbi jetën gjatë transportimit me helikopter në drejtim të Tiranës, ndërsa Hamit Buçi në Spitalin e Traumës. I plagosur dhe në gjendje të rëndë nga kjo masakër ka mbetur Astrit Hani, edhe ky banor i fshatit Bugajet në Mat.

Autori i masakrës, Kujtim Koxha

Sipas të informacioneve nga gazetari i Report Tv, Artan Rizvani, ngjarja është regjistruar rreth orës 14:00. Rreth një orë pas ngjarjes, policia e vënë në ndjekje të autorit, Kujtim Koxha, 51-vjeç, të cilin e arrestoi pranë fshatit Burgajet. Në ndjekje të autorit u vunë 40 forca policore. Shkak për ngjarjen ka qenë ndërtimi i një rruge në fshat. Punonjësit e bashkisë janë ulur për të drekuar në lokalin e fshatit. Gjatë kohës kur ata po drekonin brenda lokalit të fshatit, ata janë qëlluar me automatik nga 51-vjeçari Kujtim Koxha. Policia njofton se Koxha iu ka kërkuar punonjësve të bashkisë që të ndërtonin edhe rrugën që kalon para shtëpisë së tij. Në momentin kur ai iu ka kërkuar punonjësve të bashkisë që të ndërtohet rruga para shtëpisë së tij, ai ishte i dehur. Erzen Aliaj, një nga punonjësit e bashkisë, e ka qëlluar atë më shuplakë. Kjo ka qenë zanafilla e konfliktit. Pas këtij sherri, ai ka shkuar në banesë dhe ka marrë armën e tij automatik dhe më pas ka shkuar në lokal sërish dhe ka qëlluar mbi 2 punonjësit e bashkisë dhe 2 banorë të zonës.

 

Për pasojë tre nga punonjësit e Bashkisë të qëlluar nga Kujtim Koxha, humbën jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur. Siç shihet edhe në pamjet e Report Tv, tavolina ka qenë ende e shtruar kur ata janë qëlluar me armë. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:58
'Dikush i hoqi armën nga dora', ngjarja në Mat mund të kishte bilanc edhe më tragjik, autori do qëllonte sërish

Kujtim Koxha, 51-vjeç, zbrazi një karikator kallashnikovi në tavolinën ku ndodheshin Mentor Hoxha, Erzen Aliaj dhe Hamit Buçi, të tre punonjës të bashkisë Mat. Por ai do qëllonte sërish nëse nuk do kishte ndërhyrë një prej banorëve të fshatit Shëlli i cili i ka hequr armën nga dora. 

Burime për Report Tv thanë se ndërhyrja e menjëhershme e banorit shmangu bilancin tragjik të kësaj ngjarje, pasi në tavolinë ndodheshin edhe banorë të tjerë të fshatit. 51-vjeçari do qëllonte përsëri brenda lokalit ku la të vdekur tre persona që ndodheshin duke ngrënë drekë në lokalin e fshatit.

Ngjarja erdhi pas sherrit që viktimat patën me autorin. Punonjësit e Bashkisë po inspektonin punimet për rikonstruksionin e rrugës, por kanë hasur në rezistencën e 51-vjeçarit i cili kërkonte që të ndërtohej rruga edhe para shtëpisë së tij.

Ora 19:16
Vrau tre punonjës të Bashkisë së Matit, policia merr në mbrojtje familjen e autorit, frikë nga hakmarrja

Merret në mbrojtje nga Policia e Burrelit, familja e autorit të masakrës së trefishtë në fshatin Shëlli. Uniformat blu i druhen një hakmarrje të mundshme nga të afërmit e viktimave. 

Kujtim Koxha, 51 vjeç, vrau me kallashnikov tre punonjës të bashkisë së Matit, të cilët ndodheshin në Njësinë Administrative Lis, për të ndjekur ecurinë e rikonstruksionit të rrugës. 

Mes viktimave Mentor Hoxha, Erzen Aliaj, Hamit Buçi dhe autorit të masakrës, Kujtim Koxha ka pasur fillimisht përplasje verbale, pasi ky i fundit ka kërkuar ndërprerjen e punimeve. Nuk kanë munguar as konfrontimet fizike mes personave të përfshirë në debat. Kujtim Koxha është larguar nga vendi i ngjarjes për t'u kthyer më pas me një armë zjarri kallashnikov me të cilin qëlloi tre viktimat brenda një lokali në Shëlli, teksa ishin duke drekuar. 

Ora 18:25
Masakra në Mat, flet kryetari i bashkisë dhe deputetët e PD: Ngjarja e rëndë, as me kanun nuk qëllohet njeriu kur ha bukë(VIDEO)

Pak orë pas masakrës në Mat, kanë folur për Report Tv, kryetari i bashkisë Mat, Nezir Rizvani, deputetët Dhurata Cupi e Xhemal Gjunkshi, si edhe Luftim Vani, anëtar i Këshillit të Bashkisë Mat.

 

Kryebashkiaku i Matit, ka thënë se kjo ngjarje është e rëndë dhe se është njoftuar nga brigadieri për atë që kishte ndodhur.

Më mori brigadieri në orën 2 pa 5 në telefon, më tha, ishim duke ngrënë bukë erdhi na vrau pothuajse të gjithëve. Mora shefin e Komisariatit shkova menjëherë në vendngjarje. Kishin 4 ditë që punonin. Nuk besoj se ka ndodhur për rrugën. Sipas dëshmitarëve, autori ka qenë i dehur .

Nezir Rizvani, Kryetar i Bashkisë Mat

Deputetja demokrate Dhurata Cupi e ka konsideruar vrasjen një tragjedi, e cila duhet të zbardhet sa më shpejt.

Jemi në kushtet e tragjedisë. Ishin duke punuar për komunitetin, të zbardhet sa më shpejt

Dhurata Çupi, Deputete e PD

Deputeti Xhemal Gjunkshi ka apeluar që policia e Shtetit të veprojë për të parandaluar ngjarje të tilla.

Rast i paprecedentë. Vrasësi u kap, por duhet të ndëshkohet menjëherë. Apel për policinë e Shtetit, që të parandalojë këto ngjarje. 4 punonjësit ishin në krye të detyrës. Shkuan të punonin për komunitetin. Vetëm këtu ndodh kjo gjë.

Xhemal Gjunkshi, Deputet i PD

Luftim Vani, anëtar i këshillit bashkiak të Matit, ka thënë se ngjarja është e rëndë për të.


Kjo s’ka ku të vejë më. Ata ishin në krye të detyrës. Ngjarje më të rëndë nuk ka. Edhe me kanun nuk ndodh kjo gjë. Edhe hasmi priste sa ta zinte gjumi. Në gjumë dhe duke ngrënë s’ndodhnin kurrë këto gjëra.

Luftim Vani, Anëtar i Këshillit të Bashkisë Mat

Ora 16:50
Kush është autori i vrasjes në Mat, ish-kryetari i PS në Shelli i qëlloi punonjësit kur po hanin drekë

Autori i vrasjes së dy punonjësve të Bashkisë në Mat dhe plagosjes së dy të tjerëve është Kujtim Koxha

51-vjecari Koxha, qëlloi mbi 4 punonjësit e Bashkisë Mat, pas një konflikti për motive të dobëta.

Ata po hanin drekë në momentin kur ai është kthyer dhe me një automatik ka shtënë mbi ta. Ata kishin shkuar në fshatin Shëlli për rikonstruksionin e rrugës, por kanë hasur në rezistencën e autorit. 

Ora 16:24
Vrau me automatik 3 punonjësit e Bashkisë dhe plagosi 1 tjetër, dalin pamjet e arrestimit të autorit në Mat (VIDEO)

MAT - Dalin pamjet e arrestimit nga policia të autorit të masakrës së trefishtë në Mat. Një tjetër mbeti i plagosur nga kjo ngjarje. Viktimat u qëlluan brenda një lokali në fshatin Shëlli në Njësinë Administrative Lis, teksa ishin duke drekuar. Autor i kësaj masakre u identifikua 51-vjeçari Kujtim Koxha, 51-vjeç. Policia publikoi pamjet e arrestimit të autorit i cili u kap një orë pas krimit në fshatin Burgajet, pasi u angazhuan 40 forca policore. 



51-vjeçari hapi zjarr në drejtim të lokalit ku po drekonin Mentor Hoxha, Erzen Aliaj dhe Hamit Buçi, duke i lënë të tre të vdekur, ndërsa plagosi Astrit Hanin. Punonjësit e Bashkisë së Matit po inspektonin punimet për ndërtimin e rrugës që lidh fshatrat e Njësisë Administrative Lis. Autori ka kërkuar largimin e përfaqësuesve të bashkisë, ndërsa mes tyre ka nisur një sherr verbal dhe më pas edhe fizik. 

Njoftimi i plotë

Pas një orë ndjekje Policia kap e prangos autorin e ngjarjes.

Si rezultat i një pune të mirë organizuar Policia e Matit në bashkëpunim me Strukturat e D.V.P. Dibër, si rezultat i ndjekjes kap dhe arreston autorin e dyshuar i cili qëlloi me armë drejt disa personave ku si pasojë mbeti i vrar një shtetas dhe u plagosen 3 të tjerë.

Autori i dyshuar Kujtim Koxha, banues në Shëlli Mat, u kap rreth një orë larg vendngjarjes në një urë në Burgajet.

Për kapjen e tij u vunë në ndjekje 40 forca policie.