Report Tv ka siguruar videon nga momenti kur para Gjykatës së rrethit gjyqësor Durrës, u dhunua avokati Ilia Ilia

Autorët e sulmit, njëri prej tyre i identifikuar si M.V 42 vjeç, shihen në pamjet ekskluzive të veshur me treçerekshe dhe të pambuluar, ndërsa njëri mbante një kapele. Ilia Ilia ka qenë duke biseduar me një person tjetër, i identifikuar si Sadik Lasku, inspektor policie në Durrës, kur aty afrohet një prej dhunuesve. Pasi avokati shkëputet nga Lasku, bisedon për pak sekonda me dhunuesin, i cili më pas e godet me grusht në fytyrë. Në ndihmë të agresorit shkon edhe një person i dytë.

Inspektori i policisë, Lasku, ka tentuar t'i ndajë palët në konflikt, ndërsa dy autorët largohen me vrap. Sipas avokatit Ilia, një prej dhunuesve quhet Edmond Voga. Ilia Ilia në momentin e sulmit ishte duke shkuar drejt prokurorisë së Durrësit, pasi kishte dalë nga ambientet e Gjykatës.

 “Kam dalë nga seanca gjyqësore e Gjykatës së durrësit rreth orës 10:30 dhe po ikja nga Prokuroria. Më del një person përpara dhe më thotë ti je ai që i ke bërë karshillëk prokurorit Arjan Ndoja dje në seancë gjyqësore, ke bërë të fortin. I thash kush je ti, ai më ofendoi, i ktheva të njëjtën përgjigje. Jam goditur nga ky dhe personi tjetër që erdhi. Dje në seancë gjyqësore më kanosi prokurori.”-tha avokati Ilia.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:18
Policia identifikon njërin prej autorëve që dhunoi avokatin Ilia Ilia

Të tjera detaje kanë dalë pas publikimit të videos së dhunimit të avokatit Ilia Ilia në Durrës. Policia e Durrësit ka arritur të identifikojë njërin prej dhunuesëve të avokatit Ilia Ilia.

Agresori është identifikuar si M.V., 42 vjeç. Policia ka shkuar në banesën e tij për ta arrestuar por nuk e ka gjetur. Ndërkohë po punohet për identifikimin e personit të dytë që dhunoi avokatin përpara godinës së Gjykatës dhe Prokurorisë Durrës.

Ilia Ilia ka mbrojtur çështje të rëndësishme. Ai ka qenë avokat mbrojtës i grupit të Shijakut (ka mbrojtur Durim Keçin e akuzuar nga drejtësia italiane për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni). Më herët, Ilia ka mbrojtur Lul Berishën, i cili një vit më parë u lirua nga Gjykata dhe ndodhet në liri. 

Ora 13:14
Avokati nxjerr fotot e dhunuesit, njëri nga agresorët xhiro në makinë me prokurorin e Durrësit (Foto)

Të tjera detaje kanë dalë pas publikimit të videos së dhunimit të avokatit Ilia Ilia në Durrës. Avokati Ilia Ilia, ka denoncuar në Report Tv, si një nga autorët e sulmit, personin që është rrethuar me të kuqe në fotot e mëposhtme.

Personi që akuzohet nga Ilia si një nga autorët e sulmit, ka dalë në foto me prokurorin e Durrësit,Arjan Ndoji.

Nga ana tjetër prokuroria ka nisur hetimet për ngjarjen, përfshirë edhe për policin Sadik Laska që shoqëronte avokatin i cili akuzohet për moskallëzim krimi, pasi dyshohet se ka njohur autorët por nuk ka treguar identitetet e tyre.

Autori i denoncuar nga avokati i shoqëruar me prokurorin

Ora 12:44
Nën hetim polici që shoqëronte avokatin Ilia, s’tregoi kush ishin dhunuesit

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për policin Sadik Laska, i pranishëm në momentin kur u dhunua avokati Ilia Ilia.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se ka dyshime se Laska i njihte dy agresorët dhe nuk kallëzoi identitetet e tyre. Dyshohet se Laska ka bërë deklarim të rremë për aktin e dhunës që ndodhi paraditen e djeshme në Durrës.