Janar-shkurt, të ardhurat buxhetore 5.5% më të larta se një vit më parë

Janar-shkurt, të ardhurat buxhetore 5.5% më të larta se një vit më parë

Foto ilustruese

Të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore gjatë dy muajve të parë të vitit kanë rezultuar me rritje, krahasuar me periudhën janar-shkurt të një viti më parë. Sipas statistikave zyrtare që paraqiti dje ministria e Financave dhe Ekonomisë, të ardhurat e përgjithshme arritën në rreth 67.6 miliardë lekë, me një realizim në masën rreth 99.1 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ky zë ka rezultuar 5.5 për qind më i lartë (rreth 3.5 miliardë lekë më shumë)

Tatimi mbi të ardhurat personale të punonjësve ka shënuar rritjen më të madhe ndaj 2017-ës. Kjo ishte diçka e pritshme, duke qenë se në vitin elektoral pati një rritje të pagave të administratës, e cila është pasqyruar edhe në shtimin e sasisë së mbledhur si taksë mbi pagat. Rritja nuk kishte hyrë ende në fuqi në 2-mujorin e parë të vitit 2017, ndaj kjo e ardhur rezulton e shtuar. Por mund të ketë ndikuar edhe fushata për formalizimin e ekonomisë.

Pikërisht nga kjo e fundit duket se rezulton edhe një rritje e ndjeshme e mbledhjes së kontributeve për sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore. Sipas të dhënave zyrtare, në janar-shkurt 2017 janë grumbulluar 13.6 miliardë lekë kontribute shoqërore, nga 12.3 miliardë një vit më parë. Ndryshimi është 10.6 për qind rritje. Ndërsa për sigurimet shëndetësore, rritja ka qenë 5 për qind.

Të ardhurat nga “Akciza” janë realizuar në vlerën 6.1 miliardë lekë, 8.8% ose 409 milionë lekë më shumë se 2-mujori i vitit 2017 dhe 2.3% ose rreth 139 milionë lekë më shumë se plani. Ndikim kryesor ka pasur importi dhe prodhimi vendas i karburanteve, që rezultoi me një rritje prej 9.180 tonësh ose +13.3% krahasuar me 2-mujorin e vitit 2017.

Të ardhurat nga “T.V.SH-ja” në total janë realizuar në vlerën 21.9 miliard lekë, me rritje 7.9% ose rreth 1.7 miliard lekë më shumë se 2-mujori i vitit 2017. Ndërkohë, ndër të paktat zëra që rezultojnë me ulje si 2-mujor figuron tatimi mbi fitimin e ndërmarrjeve, i cili ka sjellë në arkën e shtetit 5.2 për qind më pak të ardhura. Edhe zëri “Taksa Kombëtare” është realizuar në vlerën 6.1 miliard lekë, rreth 2.5% më pak se 2-mujori i vitit 2017. Faktor kryesor me ndikim në këtë performancë janë të ardhurat e rritura nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shpenzimet e përgjithshme publike për muajin e dytë të vitit 2018 arritën në rreth 63.9 miliardë lekë me një realizim në masën rreth 100.5 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ky zë ka rezultuar 14.5 për qind më i lartë ose rreth 9.2 miliardë lekë më shumë.

Ndërkohë, edhe tek investimet është vënë re një rritje e ndjeshme prej 9.7 përqindësh. Por njëkohësisht konstatohet edhe një rritje jo e vogël e interesave që shteti duhet të paguajë për borxhet e marra. Kështu, nga 5.6 miliardë lekë të paguara më 2017, këtë vit në dy muaj janë paguar nga arka e shtetit për interesa borxhi 6 miliardë lekë, me një rritje prej 7.2 përqindësh.

Shteti ka paguar 17% më shumë shpenzime në fushën e shëndetit publik, ndërkohë që ish-pronarët nuk kanë marrë asnjë lek, nga 1.1 miliardë që morën një vit më parë në të njejtën periudhë. Sa i përket ndihmës ekonomike për personat në nevojë, sasia e saj është krejtësisht e njejtë me 2017-ën, pavarësisht se një numër njerëzish dhe familjesh janë hequr nga listat, çka solli një reagim të ashpër nga ana e opozitës. 

Gjithsesi, shpenzimet kanë qenë më të ulta se të ardhurat, kështu që rezultati i dy muajve është suficit në masën 3.7 miliardë lekë. Edhe vjet në fund të shkurtit ishte e njejta situatë, por suficiti shënoi nivel edhe më të lartë: 8.3 miliardë. Kjo do të thotë se në këtë drejtim është bërë prapa në masën 65 për qind.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)