SHKODER - Demokratët e Shkodrës kanë zgjedhur një drejtues të ri i cili do t'i kryesojë për katër vitet e ardhshme, duke i dhënë fund dominimit të "gardës" së vjetër në kryeqendrën e veriut. Me vetëm dy vota para, Xhevdet Amuli u zgjodh kryetar i degës duke mposhtur në garë ish-deputetin Ramiz Çobaj, kryetari aktual të kësaj dege.

Xhevdet Amuli mori 243 vota, ndërkohë që Çobaj mori 241 Vota. Ndërsa 8 vota janë shpallur të pavlefshme. Në Kuvendin e degës së PD në Shkodër kanë marrë pjesë rreth 500 delegatë me të drejtë vote.

Pas përfundimit të procesit janë dëgjuar thirrjet nga demokratët "poshtë spiunët", "poshtë komunistët", "komunistët nuk e kanë vendin në PD", duke iu adresuar ish-kryetarit tashmë të degës së PD në kryeqendrën e veriut, Ramiz Çobaj, i cili akuzohet se ka qenë ish-oficer i Sigurimit të Shtetit në vitet e regjimit komunist.