Në këto ditë me temperatura të larta, disa të rinj në Shkodër kanë gjetur një mënyrë ‘origjinale’ për të falënderuar efektivët e Policisë që qëndrojë në terren për menaxhimin e trafikut dhe ruajtjen e jetës së qytetarëve, duke u shpërndarë atyre shishe me ujë.

Në pamjet e ndara në rrjetet sociale nga kryeministri Edi Rama, të rinjtë, por jo vetëm, kanë dhënë edhe një mesazh për qytetarët, për të shmangur përdorimin e automjeteve dhe për të lëvizur me biçikleta apo duke përdorur transportin urban.

Kjo pasi sipas tyre, do të sillte më pak ndotje në qytetin e Shkodrës, por edhe më shumë para në xhepat e qytetarëve, duke mos shpenzuar për karburant.

“Sot kemi dalë për t’u thënë faleminderit policëve që janë në rrugë në këtë vapë, duke kontrolluar trafikun, por edhe duke mbrojtur qytetin tonë. Është një gjest i vogël nga ana jonë, por edhe një shembull sesi ne si rini mund të japim shembullin tonë”, tha një vajzë.

“Ne sot kemi dalë për të dhënë një mesazh që gjithë qytetarët e Shkodrës të shmangin trafikun, të përdorin biçikletat, të ecin në këmbë dhe të përdorin transportin publik. Sepse më pak makina do të thotë më pak trafik dhe më pak ndotje për qytetin e Shkodrës”, tha një i ri.

“Biçikleta është një mjet i domosdoshëm qarkullimi, që ndihmon edhe nga ana ekonomike, por edhe nga konfuzioni që krijohet prej trafikut të madh. Ky është mjeti më i sigurt dhe më i mirë”, tha një qytetar.

Sezoni veror ka sjellë trafik të rënduar në rrugët e Shqipërisë, për shkak të numrit të lartë të vizitorëve të huaj, por edhe të kthimit të emigrantëve për pushime në atdhe.