Rektori i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani’ ka reaguar menjëherë pas arrestimit të dekanit dhe disa vartësve të tij, të akuzuar për korrupsion.
Rektori ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të dekanit Albert Riska, shefes së Departamentit të Gazetarisë, Elvira Lumi, dhe të pedagoges Erjola Çalja.
Njoftimi i plotë:
Marrë shkas nga Njoftimi për shtyp i Drejtorisë Vendore të Policisë Shtetit Elbasan, datë 09.05.2018, jemi vënë në dijeni për arrestimin e tre punonjësve të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”:
1. Albert Riska, me detyrë Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane;
2. Elvira Lumi, me detyrë drejtuese e njësisë bazë Departamenti i Letërsisë dhe Gazetarisë, Fakulteti i Shkencave Humane;
3. Erjola Çalja, personel akademik me kohë të pjesshme në Departamentin Marketing Inxhinieri, Fakulteti Ekonomik.
Rektori i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësve të mësipërm. Ky urdhër do të jetë në fuqi deri në zbardhjen e plotë të çështjes. Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” është i hapur për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë.