Akademia e Shkencave boton veprën madhore të Aleksandër Xhuvanit 'Fjalor i gjuhës shqipe'

Akademia e Shkencave boton veprën madhore të Aleksandër Xhuvanit 'Fjalor i gjuhës shqipe'

Ndër botimet që Akademia e Shkencave ka realizuar këtë vit, Fjalori i Gjuhës Shqipe i prof. Aleksandër Xhuvanit, merr një vlerë të posaçme veçanërisht sot kur gjuha shqipe ashtu si gjuhët e tjera gjendet nën trysninë e deformimeve të ndryshme që vijnë veçanërisht nga përdorimi i saj në internet dhe nga marrëdhëniet me gjuhët, të cilat mund edhe ta dëmtojnë leksikun dhe gramatikën e saj. Në këtë kuptim vëmendja për thesarin e gjuhës shqipe nuk është asnjëherë e tepërt dhe Akademia e Shkencave e ka prioritet këtë ndjesi.

1. Përse Fjalor i gjuhës shqipe dhe jo një emërtim tjetër?

Vepra është titulluar kështu, për dy arsye:

a. Së pari, që në nisje të punës për mbledhjen e leksikut të shqipes, që tashmë pasqyrohet në këtë vepër, nga vetë prof. dr. Aleksandër Xhuvani “ishte vendosur” që lënda të përfshihej në një botim që, përqasur me Fjalorin e gjuhës shqipe të K. Kristoforidhit, do të ishte i atij lloji, por, modestisht, një fjalor i vogël. Me rastin 10-vjetorit të vdekjes së profesorit dhe në nderim të veçantë për kujtimin e kësaj figure të shquar të gjuhësisë shqiptare, në revistën “Studime filologjike”, në rubrikën “Materiale dhe dokumente”, filloi të botohej pjesë nga pasuria leksikore që profesori na la trashëgim dhe që sendërtonte një punë me interes të madh për leksikografinë, leksikologjinë e dialektologjinë shqipe. Në numrin e parë të botimit (SF, 1971/1), në fjalën përcjellëse të kësaj pune gati 20-vjeçare, do të theksohej se prof. A. Xhuvani, “krahas veprimtarisë së tij të shumanshme, gjatë shumë vjetëve, i qe vënë mbledhjes me zell e dashuri të fjalëve e shprehjeve frazeologjike shqipe kryesisht nga goja e popullit, por, në një farë mase, edhe nga disa vepra të shkruara, duke synuar të hartojë në një kohë të mëpastajme një vepër leksikografike në llojin e fjalorit të Kristoforidhit, që ai kishte ndër mend të quante Kristoforidhi i vogël”. Meqenëse vepra e K. Kristoforidhit është quajtur “Fjalor i gjuhës shqipe” (1904), u mendua që edhe “Kristoforidhi i vogël”, pra fjalori i prof. A. Xhuvanit që po botohet, të quhej Fjalori i gjuhës shqipe.

b. Së dyti, profesor A. Xhuvani ka bërë një punë madhore, madje të jashtëzakonshme, për të gjurmuar, për qëmtuar dhe për të regjistruar një lëndë të gjerë e të plotë leksikore, me një shtrirje të madhe gjeografike, të vjelë, mbledhur e qëmtuar me përkushtim, me pasion e me dashuri gjithandej trojeve shqiptare (edhe pse pjesa e saj dërrmuese i përket arealit gjuhësor të Shqipërisë së Mesme), si dhe me një thellësi të kënaqshme kohore, sepse në faqet e tij është pasqyruar edhe leksik i qëmtuar që nga veprat e autorëve të vjetër e deri tek ato të autorëve që jetonin e krijonin kur profesori ishte gjallë. Kjo shtrirje gjeografike mbarëkombëtare dhe kjo thellësi kohore përfshirëse kushtëzuan tërësisht dhe shkencërisht edhe titullin e veprës, Fjalor i gjuhës shqipe.

2. Fjalori i prof. Aleksandër Xhuvanit vjen e zë një vend të veçantë në fondin e leksikografisë së gjuhës shqipe. Pesha dhe rëndësia e tij, së pari, shpërfaqen në sasinë e madhe të njësive që kanë zënë vend në faqet e tij. Aty gjejmë një pasuri të begatë leksikore e frazeologjike që shkon te rreth 18.500 njësi (17.000 fjalë dhe 1.500 njësi frazeologjike). Ai sjellë gjithashtu një pasuri të madhe shembujsh ilustrues, ku zbulohet jeta e fjalës në përdorime të shumta në ligjërime të folura (sidomos në të folmet dialektore e krahinore, qytetëse e fshatëse) dhe në ligjërime të shkruara (nga Letërsia e Vjetër, e Rilindjes, e Pavarësisë, nga gazetat, nga botimet shkencore etj.); gjithashtu në të vjen një pasuri e madhe etno-kulturore që sendërtohet pasqyrimin e dhjetëra fjalëve të urta popullore e të shumë emërtimeve për festa, ngjarje familjare, besëtytni etj., të vjela e të hedhura në skeda për një periudhë dhjetëra vjeçare nga autori prof. Aleksandër Xhuvani. Në Fjalor ka zënë vend një pasuri arkivore me rëndësi të veçantë gjuhësore (dhe më gjerë) kombëtare, me një numër që shkon në rreth 45.000 skeda të tilla.

3. Fjalori i gjuhës shqipe, pasqyron punën e autorit për të regjistruar, përgjithësisht, saktë fonetikisht dhe semantikisht njësitë që ka mbledhur e vjelë, ashtu si i ka dëgjuar dhe siç i ka lexuar, një kriter i patjetërsueshëm i punës në terren dhe i leksikografisë dialektore. Madje për shumë e shumë njësi, ai ka dhënë nëpër skeda edhe elementet e nevojshme të paradigmave të eptimit. Njësitë janë mbledhur në sistem e në simetri leksikore, çka tregon profesionalizmin e përgatitjen e lartë gjuhësore e leksikologjike të prof. Aleksandër Xhuvanit si dhe profilin e tij si gjurmues i rrallë i fjalës në terren. Fjalët janë shkruar më kujdes në skeda, dhe përgjithësisht gjatë punës për kompjuterizimin e tyre nuk janë shfaqur probleme shqetësuese. Shkrimi i profesorit është normalisht i lexueshëm. Fjalori kthehet kështu dhe në një dokumentues të pasurisë që na la pas profesori dhe njëherazi dhe në një ruajtës të saj nga dëmtimi apo humbja.

4. Në mungesë të një fjalori shpjegues të shqipes, gjuhëtari i shquar ka bërë, gjithashtu, një punë madhore edhe për të përcaktuar dhe dhënë saktë kuptimin e fjalëve, të njësive frazeologjike, të fjalëve fluturake e të fjalëve të urta, të shprehjeve popullore me vlerë etno-kulturore (betime, urime, mallkime, përshëndetje etj.), duke përdorur përgjithësisht shpjegimet perifrazuese, por dhe shpjegimet me sinonimi (sidomos kur shpjegon një fjalë me përdorim të ngushtë krahinor e dialektor). Siç vërejnë me të drejtë prof. M. Domi dhe prof. Q. Haxhihasani, “Ai u përpoq të kapë në radhë të parë përdorime, kuptime, fjalë e sidomos shprehje që s'figurojnë në fjalorët më të njohur të shqipes, sjellin diçka të re saktësuese a plotësuese ose lejojnë të fitohet një ide e qartë për shtrirjen e sferës së qarkullimit të tyre.”

5. Prof. A. Xhuvani për të dhënë saktësinë e përpikërinë e kuptimeve ka përdorur me frytshmëri fjalë nga disa nga gjuhët më të njohura indoevropiane me të cilat shqipja ka pasur dhe ka lidhje të drejtpërdrejta, sidomos në arealin ballkanik (greqishte, italishte, latinishte, frëngjishte, gjermanishte, rumanishte etj.) si gjegjëse të fjalëve shqipe që ka vjelë në vite dhe që përgjithësisht i përkasin leksikut dituror. Përgatitësja për botim e veprës, Engjëllushe Karaj ka bërë një punë shumë të vyer për të bërë verifikimin e saktësisë fonemore dhe semantike të të gjitha referimeve te gjuhët e mësipërme, duke u konsultuar drejtpërdrejt me njohës shumë të mirë të këtyre gjuhëve. Kjo është një vlerë tjetër e Fjalorit që është gati për botim.

6. Siç është e njohur, mbledhja e kësaj pasurie leksikore e semantike nga profesor A. Xhuvani sendërton një punë misionare dhjetëravjeçare, të cilën ai e kishte filluar që në rininë e vet dhe që e vazhdoi gati-gati deri sa u largua nga jeta ( në nëtor1961), duke ecur kështu në gjurmët e Kostandin Kristoforidhit e të dhjetëra mbledhësve të tjerë të pasurisë gjuhësore të shqipes në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, por edhe në vazhdim, me synimin që të mblidhej pasuria leksikore e gjuhës shqipe, sidomos ajo që gjëllinte në gojën e popullit, duke e shpëtuar një pjesë të madhe të saj edhe nga bjerrja, dhe të hartohej sa më shpejt një fjalor shpjegues, synim që u realizua vetëm në vitin 1954, kur botohet Fjalori i gjuhës shqipe, si e para vepër jo vetëm kombëtare, por edhe institucionale. Dihet tashmë ndihmesa e prof. A. Xhuvanit në këtë vepër, në radhë të parë me vënien në dispozicion të mijëra skedave me fjalë, një pjesë e të cilave kanë zënë në këtë vepër prijatare në leksikografinë tonë bashkëkohore, si dhe me punën e tij redaktuese në përbërje të grupit të revizionimit të gjithë lëndës që është pasqyruar në faqet e tij.

7. Përse “Fjalori i gjuhës shqipe” i A. Xhuvanit botohet vetëm pas 60 vjetësh? Pas vdekjes së profesorit, filloi puna për gjetjen, për sistemin, për përzgjedhjen dhe për përgatitjen për botim të gjithë pasurisë leksikore, frazeologjike si dhe semantike që ai na kishte lënë trashëgim dhe që mbartte vlera të shumta e të paçmueshme etno-gjuhësore. Instituti i Gjuhësisë dhe i Historisë, pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës (kur nuk ishte formuar ende Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe kur Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë nuk ishte ngritur si institucion i veçantë), caktoi prof. Mahir Domi dhe prof. Qemal Haxhihasani që të fillonin përgatitjen e botimin e kësaj pasurie në faqet e revistës Studime filologjike (organ shkencor i Institutit), punë që filloi në vitin 1971 (siç thamë më lart, me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së profesorit) dhe që vazhdoi pa ndërprerje edhe pasi u krijua Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në vitin 1972 (në përbërje të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë) deri në vitin 1990. Siç mund të shihet dhe në “Parathënien”e këtij Fjalori, botimi i lëndës u bë në revistën “Studimet filologjike” në rubrikën “Materiale dhe dokumente” 1971/ 1; 1972/1, 2, 3, 4; 1973/3, 4; 1974/ 1, 2, 3; 1975/1, 2, 3, 4; 1976/ 1, 2, 3; 1977/2, 3, 4; 1978/1, 3, 4; 1979/1, 2; 1980/1, 4; 1981/ 1, 2, 4; 1982/ 1, 3, 4; 1983/1, 2, 3, 4; 1984/1; 1985/3; 1986/1, 2; 1987/1, 2, 3, 4; 1988/1, 2, 3; 1989/1, 2, 3; 1990/ 1, 2.

8. Por lënda e botuar në revistën “Studime filologjike” nuk është gjithë pasuria leksikore që kishte mbledhur prof. A. Xhuvani; ajo ishte e paplotë dhe, për pasojë, nuk të mund përgatitej si lëndë e një vepre të veçantë leksikografike, sepse mungonin të gjitha fjalët për disa shkronja, kurse për disa shkronja të tjera ishin lënë mënjanë (pa u pasqyruar në faqet e revistës) shumë njësi, pa u bërë e qartë arsyeja e mospërfshirjes së tyre. Lënda që nuk ishte përfshirë në radhën e botimeve, e kalonte masën 30 % të gjithë pasurisë, një fakt që tregonte se procesi i nxjerrjes në dritë i të gjithë trashëgimisë leksikore që na kishte lënë pas A. Xhuvani, nuk kishte përfunduar. Kjo gjendje trysnonte një sipërmarrje përfundimtare. Në mesin e viteve ’10 të këtij fillim shekulli (saktësisht në vitin 2005), Departamenti i Leksikologjisë dhe i terminologjisë, pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, caktoi si detyrë institucionale përgatitjen sa më të shpejtë për botim të Fjalorit. Puna, sa hodhi hapat e parë, u ndërpre, edhe për arsye të ngarkesës së punonjësve që u angazhuan në hartimin e veprave kolektive kombëtare (hartimi i Fjalorit të gjuhës shqipe, 2006, si dhe fillimi i hartimit të vëllimit të parë të Fjalorit të Madh të Shqipes, punë që u ndërpre pas reformës që u krye në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë). Disa vjet më vonë, kur Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, tashmë, kishte kaluar si strukturë në përbërje të Qendrës së Studimeve Albanologjike (në vitin 2017, si strukturë në përbërje të Akademisë së Studimeve Albanologjike) kjo detyrë i rimor dhe u vendos të çohej deri në fund.

9. Institucioni ngarkoi punonjësen e Institutit, mrs. Engjëllushe Karaj, nën drejtimin autorit të këtyre radhëve, që të fillonte punën për përgatitjen e Fjalorit për botim. Por puna ndeshi në disa vështirësi serioze. A duhej të ndërhyhej në vepër dhe në se po, sa do të ishte shkalla e kësaj ndërhyrjeje? U vendos që, derisa vetë autori nuk e kishte filluar punën për përpunimin leksikografik të lëndës që kishte mbledhur dhe meqenëse botimi do të ishte post mortum, vepra të pasqyronte gjithë pasurinë që gjendet në Kartotekën e Leksikut të Shqipes, pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Është e logjikshme se pamja e veprës do të ishte e ndryshme në shumë përbërës të makrostrukturës, por edhe të mikrostrukturës, po ta kishte hartuar atë vetë prof. Aleksandër Xhuvani, ose nëse ai do të kishte filluar punën hartuese, e cila, sado në hapat e parë që të ishte, do të kishte shërbyer si gjedhe e punës së mëtejshme. Mendojmë se prof. Aleksandër Xhuvani nuk pati kohë dhe mundësi për ta kryer përpunimin leksikografik të pasurisë që kishte mbledhur. Me të drejtë prof. Domi dhe prof. Haxhihasani shkruajnë se “Me njohjen e gjerë e të saktë të pasurisë leksikore të gjuhës sonë që zotëronte ky lavrues e studiues i shquar, me qartësinë e cilësitë e tjera që e karakterizonin, vepra e projektuar do të ishte një kontribut i rëndësishëm me vlerë të veçantë në fjalorin e përgjithshëm të shqipes, në studimet leksikologjike, e gjuhësore në përgjithësi. Po ai s'pati kohë të shkojë përtej fazës regjistruese të parë të materialeve, pa arritur të bëjë përpunimin e tyre, as edhe verifikimet e plotësimet e nevojshme, as sistemimin.”

Fjalori, që po shkon tashmë në dorën e përdoruesit, mbart gjurmët e kohës kur u mblodh pasuria që është trupëzuar në mijëra skeda, ashtu si mbart edhe punën jopërfundimtare të autorit për ta përgatitur vetë këtë pasuri si fjalor të veçantë. Veprës, edhe pse është titulluar Fjalor i gjuhës shqipe me autor Aleksandër Xhuvani, i mungon puna tij e mirëfilltë hartuese, redaktuese e korrektuese. Në të është ndërhyrë, por me masë, sepse, nëse ndërhyrja do të ishte e madhe, vepra do të pësonte shumë ndryshime, për të cilat nuk do të ishim dakord dhe besojmë se dhe përdoruesi, në radhë të parë përdoruesi gjuhësor e ai leksikograf i veprës është i njëmendësuar me ne.

10. Për disa vjet, mrs. Engjëllushe Karaj punoi për gjurmimin e gjetjen e gjithë pasurisë leksikore që na kish lënë trashëgim profesori dhe që ishte bërë pronë e Kartotekës së Leksikut të Shqipes (e cila sot është në përbërje të Kartotekës së Gjuhës Shqipe) pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Lënda leksikore e frazeologjike e gjetur (mund të themi e gjitha), së bashku me lëndën e botuar në revistën Studime filologjike u kompjuterizua prej kësaj punonjëseje dhe mandej filloi puna për sistemimin e lëndës, për plotësime në fjalë e kuptime, për ndreqje e saktësime leksikore e semantike (proces që përfshiu si njësi të makrostrukurës, ashtu edhe elemente të mikrostrukturës së zërave të ndryshëm leksikografikë), për saktësime e sistemime të gjithë sintagmatikave të zërave (verifikim, saktësim e ndreqje shembujsh, sidomos për lëndën e botuar në revistën Studime filologjike, në të cilën, jo rrallë, ishte ndërhyrë dhe ishin bërë modifikime që mbartnin kushtëzimet ideologjike e politike të kohës kur u botua), për verifikime e ndreqje në referime vendesh, autorësh e veprash. U ndërhy, gjithashtu, për ta sjellë gjithë lëndën e botuar e të pabotuar afërsisht në nivelin e kërkesave leksikografike të kohës dhe të teknikave të saj botuese. Kjo qe një punë e stërlodhshme, e gjatë që kërkoi, jo thjesht energji e përkushtim, por edhe profesionalizëm. Të gjitha u kapërcyen dhe vepra po shkon për botim. Një ëndërr e kahershme dhe një detyrë e realizuar!

11. Si e sa duhet vlerësojmë këtë vepër? Fjalori i gjuhës shqipe i prof. A. Xhuvanit është më shumë se një vepër leksikografike, shumë më shumë se një fjalor shpjegues. Gjithashtu, tek ai nuk duhet kërkuar gjithçka e plotësisht çka kërkohet e si kërkohet nga një vepër e tillë (fjalor) në ditë e sotme dhe sidomos nga një vepër e hartuar në këtë fillim shekulli. Në këtë Fjalor vëren një pasuri të gjurmuar e të hedhur në skeda nga profesori, por që një pjesë e madhe (pjesa dërrmuese) e saj ishte e papërpunuar sidomos leksikografisht, d.m.th., në skedat që ka Kartoteka nuk të mund të gjesh të gjithë përbërësit që janë të domosdoshëm për të ndërtuar një zë leksikografik dhe që duhen pasqyruar në një fjalor bashkëkohor. Kjo gjendje e lëndës ka bërë që në vepër të zërë vend gjithë lënda bruto (siç e ka sjellë autori ), si dhe ajo e përzgjedhur (përgjithësisht e bërë nga dy profesorët, M. Domi dhe Q. Haxhihasani) dhe e botuar në “Studime filologjike)); në Fjalor janë përfshirë edhe variante fonetike leksikore dialektore për shumë fjalë, për të cilat, me vetëdije nuk është ndërhyrë për të zgjedhur trajtën fonetiko-morfologjike më përfaqësuese. Të gjitha këto variantet fonetike janë dhënë në plotërinë e tyre. Kjo zgjidhje nuk e zbeh vlerën e veprës. Përkundrazi ajo bëhet treguese e punës së madhe të profesor A. Xhuvanit, për të qëmtuar, për të regjistruar gjithçka e për të mos anashkaluar asnjë njësi të dëgjuar nga subjektet e ndryshme folëse apo asnjë njësi leksikore e lexuar nga moria e librave e dokumenteve që ai voli. Çdo skedë e gjetur ka gjetur vend në Fjalor. Dhe kjo është bërë me qëllimin pragmatist që asgjë nga puna e paçmueshme e këtij gjuhëtari të mos humbasë e me qëllimin shkencor e qytetar që t’i vihet në dispozicion lexuesit e studiuesit me origjinalitetin që ka çdo njësi që është e skeduar e gjendet në Kartotekë.

12. Vepra që kemi tani në duar, ka mundësuar të sjellë e të hedhë dritë te gjithçka na la trashëgim profesor për një fjalor të mundshëm. Por ne nuk duhet të befasohemi, nëse fjalori shpesh kthehet edhe në një enciklopedi të zërave, me informacion jo thjesht gjuhësor, por edhe kulturor, historik, etno-kulturor etj. Përdoruesi, kur të kontaktojë me veprën e botuar, do ta shohë e do ta vlerësojë vetë edhe këtë prurje të veprës! Merita është vetëm e vetëm e prof. Aleksandër Xhuvanit

Fjalori i gjuhës shqipe i prof. Aleksandër Xhuvanit botohet, duke mbajtur në ballinë logon e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nderi është i dyanshëm!

Rrugë të mbarë Fjalorit!

*Prof. Dr. Valter Memisha

Fjalor i gjuhës shqipe

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit