TIRANE-Arrestohet nga policia ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko. Ai dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Burgjeve.

Urdhër arresti nga Gjykata e Krimeve të Rënda u ekzekutua sot pasdite dhe aktualisht Çuko është i ndaluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Burime për Report Tv pohojnë se Çuko është arrestuar, pasi dyshohet se kundrejt lejeve që jepte për të burgosurit merrte para. Sipas informacioneve të para, Çuko është zbuluar nga përgjimet e një grupi të përfshirë në trafik droge.

Në njërin prej përgjimeve të anëtarëve të grupit kriminal të trafikut të drogës ka dalë emri i Çukos, që jepte leje për të burgosurit kundrejt pagesave, ndërkohë që ende nuk dihen se kush është përfituesi apo përfituesit.

Gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno, thekson se sipas burimeve nga grupi hetimor, Çuko dyshohet se merrte 1500-3000 euro kundrejt lejeve ndaj të burgosurve, ndërsa është kapur nga përgjimet edhe duke u premtuar të dënuarve transferime.

Ish-deputeti i PS, Çuko u shkarkua nga detyra e drejtori të Burgjeve në datë 3 shtator nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj pasi dyshohej se ishte përfshirë në një rast korrupsioni.

Arben Çuko ka qenë Komandant i Gardës së Republikës, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

Ai mori detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve në korrik të vitit të 2017 dhe zëvendësoi Arjan Hoxhën, i cili u emërua në këtë post pas marrëveshjes Rama-Basha.

Pas shkarkimit nga detyra, vendin e tij e zuri ish-ministri i Brendshëm dhe ish-kryebashkiaku i Sarandës, Stefan Çipa. Çuko është drejtori i dytë i Burgjeve që është prangosur, pasi të njëjtin fat kishte dhe Artur Zoto dhe ish- zëvendësi i tij, Iljaz Labi.

Zhvillimet e fundit/ Lajmet orë pas ore pas arrestimit të Arben Çukos

22:00 Arrestimi i dy ish-deputetëve të PS, vjen reagimi nga PD, Strazimiri: Lapsuse adoleshence dhe këto?
Pak orë pas arrestimit të ish-deputetëve socialistë Arben Çuko dhe Arben Ndoka, një tjetër reagim ka ardhur, kësaj here nga Partia Demokratike. Deputeti demokrat, Gent Strazimiri, në një status në Facebook, thotë se këto janë disa nga arrestimet për të cilat kryeministri Edi Rama, i konsideronte thjesht si “lapsuse adoleshentësh”.

18:10 Rama: Keqardhje për Çukon, por ne jemi me drejtësinë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas arrestimit të ish-drejtorit të Burgjeve Arben Çuko. Shefi i qeverisë shpreh keqardhjen për arrestimin e ish-deputetit të PS, por shton se është në krah të drejtësisë, pasi para ligjit janë të gjithë të barabartë.

17:55 Ministria e Drejtësisë: I çuam prokurorisë provat për korrupsionin në Burgje
Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas arrestimit të ish-drejtorit të Burgjeve Arben Çuko. Dikasteri i drejtuar nga Etilda Gjonaj, që është edhe Koordinatore Kombëtare e Task-Forcës Antikorrupsion shprehet se Çuko u shkarkua në datë 3 shtator nga detyra për keqmenaxhim të burgjeve dhe dyshimeve për korrupsion. Gjithashtu në njoftim theksohet se shkarkimi çoi në hetim të thelluar administrative dhe materialet e gjetura nga auditimi, i janë dërguar prokurorisë.