POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Me gishta mbi telajo, teknika e veçantë e piktorit të ri

Ura që më ndante mua dhe pikturën ishte peneli që unë kisha në dorë. Emocionet që unë ndieja përbrenda nuk mund ti shprehja me një gjë të huaj dhe pa jetë siç ishte peneli. Për këtë arsye mora vendimin ta flakja penelin dhe ta ndjeja pikturën që në momentin qe përzieja bojrat në duar dhe më pas me këto duar të krijoja veprat e mia dhe të jetoja me to. Ishte ky fragment që lexova nga piktori i ri Amarildo Ruçi, arsyeja pse unë ndodhem në këtë studio. 

Që të dalë një pikturë e bukur duhet të kesh edhe guxim, e s’duhet të kesh frikë asnjë herë... Thonjtë, e bëjnë edhe më të veçantë teknikën time, të cilën e veçon edhe nga persona të tjerë që mund ta ushtrojnë por thonjtë përdoren në fazën e fundit për të dhënë detajet, tregon Amarildo. 

Teknika e të pikturuarit pa penela nuk bëhet pengesë për detajet e pikturës. Për Amarildon, vështirësia nuk qëndron tek forma e objektit që pikturon. 

Unë i konsideroj të gjithë elementët e një pikture si një vesh rrushi. Këtë mësim e kam nxjerrë nga vetë eksperienca që kam pasur me frutat. Duke punuar pjesën ku ishte vendosur rrushi, po bëja kokrrën e parë dhe nuk po më pëlqente. Më pas fillova të bëja të dytën e të tretën dhe e shikova që ai po merrte formë. Që nga ajo ditë mendova edhe pikturën si kokrrat e rrushit, që duhet t’i bësh të gjitha që të të japi atë që kërkon. Kontakti që unë marr me telajon është shumë më i fortë se sa kur ke një penel në dorë, rrëfen piktori i ri. 

Fillesat e Amarildos në pikturë janë që në vogëli. 

Rreth moshës 4-5 vjeçare atëherë kanë qenë hapat e para dhe kuptova që kisha një dëshirë të madhe për të pikturuar duke bërë ato shtëpitë e vogla. Më pas vazhdoi në klasën e parë, ku mësuesja ime dalloi te unë atë talent dhe ishte një shtysë e madhe tek prindërit për t’u treguar atyre që djali është i talentuar dhe duhet ta çoni diku për ta ushtruar. Më pas fillova një kurs tek Pallati i Pionerëve, aty mora bazat e pikturës. Fillova ta ushtroja vazhdimisht duke marr pjesë në shumë konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare ku kam qenë fitues i shumë çmimeve deri në klasë të tetë ose të nëntë, tregon për Report Tv, Amarildo Ruçi. 

Por rrugëtimi drejt pikturës ndali teksa Amarildo rritej. 

Befas u zhduk gjithçka. As vetë nuk e kuptova si ndodhi. Gjithë ai pasion, gjithë ato punime që kisha bërë u harruan. Edhe piktura u largua nga unë, si dhe unë nga piktura njëkohësisht. Pata rreth 7 vite pauzë, rrëfen më tej Amarildo. 

Studimet për administrim biznes nuk e plotësuan jetën e tij. Me pikëpyetje në kokë, vetëm një vit më parë 24 vjeçari gjeti sërish përgjigjen. 

Një moment mërzie dhe në kërkim të diçkaje të re shkova me pushime në ishullin ku kam kaluar fëmijërinë, kur u ktheva atje befas m’u zgjua sërish dëshira për të pikturuar. Kujtova ato shtëpitë e vogla që bëja dikur dhe nisa sërish të futesha në atë botën e pikturës. Si dukej ajo më kishte thirrur dhe unë po shkoja drejt saj, deri sa u përplasëm bashke dhe doli kjo teknikë që unë kam sot, shton Amarildo. 

Por a ka frikë sërish sot Amarildo mos dëshira për të pikturuar largohet? 

E mendoj që mund të ndodh, por besoj që nuk do ndodh kurrë sepse e di që s’do të ndahem prej saj. Dua t’ja dedikoj jetën pikturës, ky është një nga qëllimet e mia. Përpos qëllimeve që ka çdo artist për të hapur ekspozita, një nga qëllimet e mia është të jem i përjetshëm në këtë fushë, të arrij të ndikoj tek njerëzit nëpërmjet artit, përgjigjet 24 vjeçari. 

Amarildo është i lidhur shumë me një prej pikturave, Betejën e piktorit francez Eugene Delacroix, me të cilën ka qëndruar prej më shumë se 6 muaj.

Piktura të burgos në botën e saj, një burg që edhe pse e ke derën e hekurave të hapur, ti vazhdon të qëndrosh brenda, përfundon rrëfimin për Report Tv, piktori i ri Amarildo Ruçi.

a.me./b.ha.
Komento