Hidhet shorti për EURO 2020, Shqipëria përballë kampionëve të botës dhe Turqisë

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka mësuar kundërshtarët për eliminatoret e EURO 2020. Shorti i hedhur sot në Dublin ka vendosur kuqezinjtë përballë Francës, kampione bote, Islandës, Turqisë, Moldavisë dhe Andorrës. Shqipëria bën pjesë në grupin H me gjashtë ekipe. Ekipi i drejtuar nga italiani Panucci do të luftojë për njërën nga dy biletat që të dërgojnë në Euro 2020.

Nisur nga gjykimi në letër Franca është favorite kryesore për të kaluar grupin, ndërsa lufta për vendin e dytë pritet që të bëhet mes Shqipërisë, Turqisë dhe Islandës, e cila ka bërë një paraqitje mjaft të mirë në vitet e fundit. Moldavia dhe Andorra shikohen si kundërshtarë të lehtë për kuqezinjtë, por fjalën e fundit do ta thotë fusha. Të pranishëm në hedhjen e shortit ishin Presidenti i FSHF, Duka, Shulku dhe Panucci ndërsa ndeshjet e para do luhen nga data 21 deri në 23 mars të vitit të ardhshëm. Kampionati Europian i futbollit 2020 nuk do të organizohet nga një shtet, por nga 13 të tillë.

Kosova dhe grupet e ferrit
E ndërsa Shqipëria do të ndeshet me kampionët e botës, Kosovën e ka vendosur shorti përballë Anglisë, Çekisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi. Duke pasur parasysh faktin që nga kualifikueset në Euro 2020 do të shkojnë vetëm dy ekipet e para, Kosova mund të presë biletën nga Liga e Kombeve ku është ende në garë. Në grupet e tjera që u shortuan sot spikasin përballet e forta mes Gjermanisë dhe Holandës në grupin C, Zvicra e shqiptarëve ka gjetur Danimarkën te grupi D, Belgjika me Rusinë te grupi I, ndërsa shorti ka qenë i lehtë për Italinë.

Shorti i EURO 2020 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:18
Shorti i EURO 2020, Bekim Balaj: Shpresoj të bëjmë surprizën me Francën

Sulmuesi Bekim Balaj shpreson te një surprizë me Francën, ndërsa luftën për vendin e dytë e shikon mes tre ekipeve. “Kemi bërë shumë ndeshje me Francën, shpresoj të bëjmë ndonjë surprizë. Për vendin e parë është çështje e zgjidhur. Lufta bëhet për vendin e dytë dhe janë tre ekipe që e pretendojnë. Me Turqinë i matëm forcat tani vonë, është kundërshtar i përballueshëm me ne. Islanda ka treguar rritje dhe është kundërshtar serioz, por nuk është i pakalueshëm”.

Ora 14:17
Shorti, Sadiku: Duhet të mundim Turqinë e Islandën, për Francën nuk po flas fare

Sulmuesi i kombëtares Armando Sadiku pas hedhjes së shortit në një prononcim për supersport është shprehur se “Është një grup i fortë, do luhet midis Islandës dhe Turqisë, me këto dy ekipe do luajmë kualifikimin tonë. Megjithatë, e shoh si një grup të fortë. Të dyja janë të forta, si Islanda dhe Turqia. Për Francën, nuk po flas fare”.

Ora 14:12
Shorti/ Mërgim Mavraj: Lufta për vendin e dytë me Islandën dhe Turqinë

Për kapitenin e kombëtares Mërgim Mavraj, Islanda dhe Turqia janë kundërshtarë kryesorë për vendin e dytë në grup, pasi Franca është favorite. “Kemi pasur ndeshje të mira me Francën dhe Turqinë. Me këtë grup, e dimë që Islanda ka ecur shumë përpara, është e fortë. Islandën dhe Turqinë i kemi kundërshtarë kryesorë. Nëse ia dalim në këto ndeshje, kemi shumë mundësi” tha ai për supersport.

Ora 14:04
Duka i kënaqur me shortin: Imagjinoni sikur të ishte Gjermania dhe Holanda

Edhe Presidenti i FSHF, Duka është shprehur i kënaqur me shortin, ndërsa deklaroi se në EURO 2020 nuk kualifikohesh nga shorti, por nga fusha. “Gotën e shoh gjysmë plot, e shoh pozitiv. Imagjino sikur të ishte grupi me Gjermaninë dhe Holandën, do ishte masakrues. Duke menduar këtë, e shoh pozitiv. Franca siç është e fortë për ne, do jetë edhe për të tjerët. Mund të konkurrojmë për një vend të dytë” tha ai.

Ora 14:00
Shorti me Shqipërinë, trajneri i Turqisë: Nuk do ta kemi aspak të lehtë

Trajneri i Turqisë, Luçesku pas hedhjes së shortit që e vendosi edhe përballë Shqipërisë u shpreh se kombëtarja kuqezi është një skuadër e fortë dhe e vështirë për t’u mundur. “Me Francën nuk është e lehtë. Na duhen patjetër fitore me Moldavinë dhe Andorrës. Ndaj Islandës, kemi avantazhin që e njohin. Shqipëria është një skuadër e mirë” deklaroi ai.

Ora 13:59
Përballja me Shqipërinë, trajneri i Francës: Na kanë vënë gjithmonë në vështirësi

Trajneri i Francës Deshamp pas hedhjes së shortit është shprehur se me Shqipërinë kemi hasur shumë vështirësi, referuar ndeshjeve të kaluara. “E njohim Shqipërinë, jemi përballur. E njoh Panuccin, pasi e kam pasur lojtar. Kemi hasur gjithmonë vështirësi me Shqipërinë. Kam respekt për këtë skuadër. Shumë futbollistë po luajnë mirë jashtë shtetit. Do të shikojmë të gjithë detajet. Nuk mund të veçoj një skuadër ende se cila është me e fortë. Do të shohim në fushë, jam i bindur që do të kemi ndeshje të vështira”tha ai për RTSH. 

Ora 13:19
Panucci i kënaqur nga shorti i EURO 2020: Shqipëria do të renditet pas Francës

Trajneri i kombëtares shqiptare, Christian Panucci pas hedhjes së shortit është shprehur i kënaqur, ndërsa ka deklaruar se kuqezinjtë do të luftojnë për vendin e dytë. “Mund të shkonte më mirë ose më keq, por do të punojmë për të pamundurën. Franca është favoritja e madhe. Edhe Turqia dhe Islanda janë të forta, pretendente për vendin e dytë. Shqipërinë e shoh duke luftuar me Turqinë dhe Islandën për vendin e dytë. Gjëja më e rëndësishme për mua është të rikuperoj lojtarët” deklaroi ai për RTSH. 

Ora 13:05
DATAT/ Kualifikueset nisin në mars/ EURO 2020 do luhet në 13 shtete

Ndeshjet e para kualifikuese të EURO 2020 do luhen nga data 21 deri në 23 mars të vitit të ardhshëm. Kampionati Europian i futbollit 2020 nuk do të organizohet nga një shtet, por nga 13 të tillë.

DATAT E NDESHJEVE
21–23.03.2019
24–26.03.2019
07–08.06.2019
10–11.06.2019
05–07.09.2019
08–10.09.2019
10–12.10.2019
13–15.10.2019
14–16.11.2019
17–19.11.2019

Vendet ku do të zhvillohen ndeshjet  e ERUO 2020
Anglia me Londrën (Wembley): 2 gjysmëfinalet dhe finalen e madhe
Gjermania me Mynihun: 3 ndeshje grupi dhe 1 çerekfinale
Azerbaxhani me Bakun: 3 ndeshje grupi dhe 1 çerekfinale
Italia me Romën: 3 ndeshje grupi dhe 1 çerekfinale
Rusia me St.Peterburg: 3 ndeshje grupi dhe 1 çerekfinale
Belgjika me Brukselin: 3 ndeshje grupi dhe 1 ndeshje 1/16
Danimarka me Kophenagenin: 3 ndeshje grupi dhe 1 ndeshje 1/16
Hungaria me Budapestin: 3 ndeshje grupi dhe 1 ndeshje 1/16
Holanda me Amsterdamin: 3 ndeshje grupi dhe 1 ndeshje 1/16
Rumania me Bukureshtin: 3 ndeshje grupi dhe 1 ndeshje 1/16
Spanja me Bilbaon: 3 ndeshje grupi dhe 1 ndeshje 1/16
Skocia me Gllasgoun: 3 ndeshje grupi dhe 1 ndeshje 1/16
Irlanda me Dublinin: 3 ndeshje grupi dhe 1 ndeshje 1/16

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak i Himarës komandon kryetaren e Bashkisë, koalicioni Bashkë Fitojmë bashkon votat me PS

Këshilli Bashkiak i Himarës komandon kryetaren e Bashkisë, koalicioni Bashkë Fitojmë bashkon votat me PS