POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Mënyrë e çuditshme t’i shprehim dashurinë Tiranës

Arkitekturë e një lagjeje të Tiranës së tranzicionit

Në të vërtetë jo vetëm Tiranës. Gjithë Shqipërisë. Gjithmonë kam menduar se për gjërat dhe njerëzit që duam japim më të mirën tonë: i mirëmbajmë, kujdesemi, i zbukurojmë, i përmirësojmë, i kurojmë, i shërojmë. Kështu për lulet, fëmijët, dashurinë, miqësinë, shtëpinë, punën, kafshët. Ka një mënyrë universale për të treguar me veprimet tona se kemi për zemër gjërat, njerëzit, kafshët, natyrën: Dashuria.

Në këto ditë të fokusuar te Nënë Tereza, një nga shprehjet e shumta që më mbetën në kokë është: Shumë njerëz në botë vdesin nga varfëria, por akoma më shumë nga mungesa e dashurisë. Edhe gjërat, sendet, objektet vdesin nga mungesa e dashurisë. Dhe dashuri a kemi ne për qytetin, vendin? Në gjithë këto vite tranzicion, po të hedhim sytë përreth se si ne kemi trajtuar natyrën, qytetet, lagjet, pallatet, në atë që ne shqiptarët e Shqipërisë kemi bërë, ajo që duket qartë është mungesa e dashurisë. Po të kishim dashuri do të kishim bërë gjëra të bukura do të bënim të shkëlqenin përditë trashëgiminë që na lanë të parët.

Shumë ankohen se në Tiranë po zhduken gjurmët e Tiranës se vjetër, vilat-monument kulture. E vërtetë. Të parët, vetë trashëgimtarët, i lanë të kthehen në kufoma të frikshme mes lagjeve, më pas, gjatë natës, me ndihmën e duarve “mizterioze” i rrëzuan. Mungesa e dashurisë i bëri të zhduken e në vend të tyre të lindin pallatet shumëkatëshe. Sepse pallatet, paranë i duam e për to bëjmë të pamundurën.

Ndoshta, në këtë rubrikthën time, jam ndër të parat që vura re dhe shkruajta për një ves tonin: pështyjmë, sidomos djemtë dhe burrat, duke ecur rrugëve të qyteteve e fshatrave. Si mund të përshtysh në një vend me të cilin të lidh dashuria?

Tjetër marrëdhënie e jona me kujdesin:  plehrat. Me vështirësi e me rregulla gjërat kanë nisur të ndryshojnë, por si hedhim ne shqiptarët plehrat nga pallatet, makinat e piknikët, zor të gjenden të tjerë që na e kalojnë.

Të vijmë të dashuria e papritur që disave u lindi për Teatrin Kombëtar. Me përjashtime të vogla e të sinqerta, administratorë e aktorë, i shndërruan sallat e teatrove tona: TKOB, Metropol, Eksperimental, Black Box në stalla aspak dinjitoze as për aktorë, as për artdashës. Papastërtia, degradimi (ndiqni sot një shfaqje në Black Box apo te Eksperimentali) djersët të mbërthejnë në të nxehtë, të dridhurat në të ftohtë, në vende ku mund të duket çdo gjë, përveç përkujdesja dhe dashuria.

Kur sot, disa kapen në argumente e qahen se po vdesin gjurmë të memories sonë, nuk duken më ndryshe nga stalkerat që me çdo kusht kërkojnë të mbajnë partnerët që nuk i deshën kurrë, ose të paktën, këtë dashuri, nuk e shprehën asnjëherë e bëhen maniakë e përndjekës në momentin që ata ikin.

Nuk janë të sinqerta “dashuritë” që disa shprehin për copëzat e Tiranës, të Shqipërisë së vjetër. Me përjashtime të rralla, shumica, për këto copëza të vjetra e me vlera nuk u kujdesën, i lanë të largohen, të vdesin, për të mos u kthyer më kurrë.

Mënyrë e çuditshme nga disa për të shprehur dashurinë për copëza të Tiranës tani që po ikin. Sot gjejnë vetëm fjalë të rënda për t’u indinjuar, bëhen agresivë, por nuk kanë vënë re se prej kohësh kanë humbur dashurinë për njerëzit, vendin dhe gjërat e tij.

Kemi parë se si, në të tjera vende, dashuria e përkujdesja mban në këmbë kështjella të tëra. Ne jemi ende në kohë t’i bëjmë pyetjen vetes: Duam me shpirt çdo centimetër të Shqipërisë?

 

d.ba.
Komento

Komente

  • That"s right: 09/09/2018 23:32

    ..te Lumte"!..sh e drejte"...,Tirona eshte 1 Katund i madh...,sepse per te qene" Qytet...duhet te kete Banore me Kulture Qytetare...!

    Përgjigju