Një Rilindje për PD-në

Një Rilindje për PD-në
Zhurma për emrat e çuditshëm, trashëgimtarët, njerëzit e Bashës të zgjedhur në Kuvendin Kombëtar të PD-së, u fashit shpejt, duke i hequr kryetarit të demokratëve bezdisjen e sqarimeve. Basha e shmangu zyrtarisht PD nga ky debat, duke ndihmuar kështu në rënien e interesit për çudinë e zhdukjes së disa prej emrave historikë në parti. Pas kësaj, menjëherë Basha u hodh në veprim për të formatuar pozitën e tij si lider i opozitës. Rama i dha një ndihmë jo të vogël në këtë drejtim. Basha nuk është deputet dhe, në këtë mënyrë, nuk mund të bëhej pjesë e komisioneve parlamentare ku diskutoheshin reformat e rëndësishme.

Me inisiativën e Nishanit dhe, sigurisht, me miratimin shumë të nevojshëm të Ramës, Basha u ul në krye të një paneli diskutimi për reformën në Drejtësi. Ai foli në krah të Ramës, kundër Ramës, por jo me gjuhë të drunjtë. Tryeza për reformën në Drejtësi, mbajtur me praninë e shumë diplomatëve, gjykatësve etj, ishte një mënyrë shumë e mirë për t’iu afruar rrrugës së konsensusit, edhe në një moment kur nuk ka konsensus.

Kryeministri, tashmë edhe me votat e çamëve, që kanë hyrë de facto në qeveri, nuk e ka shumë të nevojshëm konsensusin e PD-së për të realizuar reformat që dëshiron. Rama i ka numrat, por po kërkon edhe anën morale, përveç asaj kushtetuese. Këtë konsensus nuk mund tja japë PD në sallën e Kuvendit, PD e cila është ende nën diktatin e ish-kryeministrit Berisha. Për këtë arsye, apo mbase edhe pa vetëdije, tryeza për konsensus doli jashtë Kuvendit, për t’i dhënë mundësi Bashës, që s’ka mandat deputeti, të afrohet. Rama gjithnjë e më shumë nuk i referohet më Berishës dhe i ka harruar shprehjet “kryetari më kot i Bashkisë së Tiranës”. Ai ulet me Bashën në tryezë, duke e legjitimuar atë si kundërshtarin e tij të vetëm.

Me pak fjalë, lideri i mazhorancës, përballë liderit të opozitës. Basha, që e ka marrë gati si dhuratë postin e kryetarit të PD-së, e ka shumë të nevojshme që të marrë nga kundërshtarët njohjen si rivalin kryesor. Dhe këtë shans po ja jep Rama, që ka ndryshuar gjuhën e drunjtë të dikurshme, duke lëshuar sinjale bashkëpunimi. Ndokush mund ta quajë këtë një aleancë të fshehtë kundërshtarësh, por që u vlen Ramës dhe Bashës në rivendosjen e dualitetit dhe në lënien në periferi të faktorëve të tjerë, qofshin këta edhe shumë të fortë, si ish-kryeministri Berisha.

Duket ironike, por në atë që mund të quhet “Rilindje” për PD po jep ndihmën e vet edhe vetë Rama. Me një lëvizje të diskutueshme dhe gati provokuese, INUK shembi obeliskun e Kavajës. Pavarësisht faktit se ishte një vepër arti e diskutueshme, simbolika që ai mbart është shumë e madhe. Me ironi, deputetët e PD-së pyesnin se përse INUK-u i qeverisë shkatërroi obeliskun dhe jo monumentin e bukës, një vepër e realizmit socialist në mes të Kavajës!!! Përtej qëllimit të Ramës, disa në PD rigjetën muzën e tyre antikomuniste.

Ata shkuan në Kavajë, në disa protesta që synonin zgjimin e asaj që në PD ka qenë thelbi: shpirtin antikomunist. Në këtë mënyrë, PD, e dërmuar nga humbja e madhe në zgjedhjet e 23 qershorit, ka nisur të ringrihet. Forcimi sa më shpejtë i saj në nivel cilësor dhe sasior është në të mirën e gjithë vendin, sepse askush nuk do që të qëndrojë gjatë nën një qeveri që ka shumicën e votave dhe s’ja ka nevojën askujt. Edhe njerëzit më të mirë, pa kontroll do rrëshqisnin shumë lehtë në autoritarizëm. Një sëmundje kjo, që vendi e ka njohur, kur Berisha kishte edhe fare pak avantazh në Kuvend. Forcimi opozitar nuk mund të vijë aspak me një kryetar anemik dhe grupime që çdo ditë e më shumë flasin për krijimin e partive të reja. Ka në PD shumë emra, deputetë, që e mendojnë ndarjen si variant.

Ata përmendin nën zë mundësinë e krijimit të një force të re politike, që do të kopjonte fatin e PD-së, por thonë se qëndrojnë ende nën hije për shkak se në PD nuk ka përfunduar zgjedhja e strukturave të tjera drejtuese të parties. Mbase kjo është një formë presioni ndaj Bashës, që ai të marrë parasysh emrat e tyre, por kjo tregon se situata në PD nuk është aq blu sa duket në shfaqje.

Basha ka një grup parlamentar në Kuvend, që as nuk e konsideron për kryetar apo e nënvlerëson. Duke qenë jashtë Kuvendit dhe në një pozicion të ngjashëm me Ramën dikur, kur e sulmonte, duke i thënë se ka harruar Bashkinë për partinë, Basha duket se mezi po pret zgjedhjet e pushtetit vendor. Ai do largohet nga Bashkia e Tiranës për t’i dhënë vetes mundësinë e krijimit të imazhit të tij si lider i opozitës. Basha është kandidati për kryeministër i një qeverie të mundshme, nëse PD e forcuar merr zgjedhjet e përgjithshme. Por, deri në atë kohë, atij i duhet shumë punë, për të hequr imazhin e fëmijës, që e marrin përdore.

Dhe në këtë sfidë, ndihma më e madhe i vjen, jo nga PD apo nga ndonjë largim përfundimtar i Berishës nga skena politike, por … nga Rama. Nëse ai do vazhdojë ta cilësojë atë rivalin e tij kryesor politik, Basha e fiton lojën e, bashkë me këtë, edhe PD arrin të rikrijojë imazhin e saj. Kjo forcë politike tashmë ndodhet në një situatë aspak të këndshme. Në krye të strukturave partiake po vijnë njerëz të rinj, mbase pa përvojë në politikë, por me avantazhin e të qënit të pakonsumuar dhe me një grup parlamentar, ku shumë prej deputetëve përherë e më shumë po humbin lidhjen me drejtimin e partisë.

Në grup janë shumë emra, ish-ministra, njerëz që bëjnë pjesë ndër shkaktarët që e çuan PD në opozitë. Ata heshtin, bëjnë mënjanë, sikur të mos ishin ata që, vetëm një vit më pare, bënin ligjin për çdo gjë. Sa më shpejt ti largojë Basha ata, aq më shpejt do ta rimarrë veten PD.

Një shembull ka. Rama e mori PS gjysëm të kalbur e të përçarë dhe me autoritarizmin e tij e ndryshoi tërësisht, duke e rikthyer në pushtet, falë edhe aleancave të duhuara, pas dy mandatesh. A do jetë kjo mënyra e “Rilindjes” së PD? Kjo nuk dihet, por e sigurt është se, nëse PD nuk nis të heqë nga kurrizi të kamurit e korrupsionit, do ta ketë shumë të vështirë në garat e ardhshme elektorale…


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Tatimi për profesionet e lira, Tabaku: Goditet shtresa e mesme, taksë që cenon Kushtetutën

Tatimi për profesionet e lira, Tabaku: Goditet shtresa e mesme, taksë që cenon Kushtetutën