U deshën njëmbëdhjetë ditë që Udinese dhe Roma të mbyllnin sfidën e raundit të 32-të mes tyre në Serie A. Më 14 prill dueli në Udine u ndal në minutën e 73 me rezultatin 1-1, kjo pasi mbrojtësi i Romës Evan Ndicka u ndje keq dhe u dërgua me urgjencë në spital.
Për fat asnjë problem në zemër, me dy skuadrat që u rikthyen mbrëmjen e 25 prillit për të luajtur 17 minutat e mbetura. Sfidë e çuditshme edhe për faktin se Udinese ndryshoi trajnerin dhe debutimi i një ikone si Fabio Cannavaro nuk ishte i duhuri për bardhezinjtë.
Ndeshja u vendos në minutën 90+5 nga goli i Cristantes. Në krosimin e fundit nga këndi, Dybala asistoi për mesfushorin që shënoi me kokë golin me vlerën e tri pikëve duke e çuar rezultatin në 1-2.
Me 58 pikë pas javës së 33-të, Roma mban vendin e pestë me katër pikë më shumë se Atalanta e vendit të gjashtë. Me 28 pikë, njëjtë me Frosinonen që është në zonën e ftohtë, Udinese mban pozitën e 17-të.