POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

‘Pa gjurmë’, prindërit ndahen, gjyshja në kërkim të nipërve: Nëna i braktisi, sot i ka rrëmbyer

Sot ajo është nënë e dy fëmijëve. Marinela Bushati, nga qyteti i Burrelit përballet me vështirësitë e një nëne të divorcuar. Ngrysur nga mosgjetja e një zgjidhjeje për të jetuar mirë, kjo histori e Marinelës, si ndoshta shumë histori të ngjashme të çdo gruaje që ka fatin e saj, nis në vitin 2009.

Ajo u martua, ndërsa nga ky kurorëzim me ish-bashkëshortin Fatos Halili solli në jetë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Pak vite ndërsa ishte ende një nuse e re, në derën e burrit nisën konfliktet e para me vjehrrën dhe si rrjedhim dhe me ish-bashkëshortin. Debatet nisën që prej vitit 2013.

Me vajzën e vogël, që ende s’ka mbushur 1 vjeç e gjysëm, ende në gji, lë shtëpinë dhe zhvendoset në familjen e saj, tek prindërit. Dy fëmijët me vendim gjykate i kaluan të atit, ndërsa çifti kishte kryer divorcin.

Edhe pse me vendim, Gjykata vendosi të drejtën e takimit të nënës me fëmijët, Marinela sipas deklarimit të ish-vjehrrës, Gjyle Halilit i braktisi fëmijët duke mos i takuar për dy vite me radhë.

Kur u duk se përfundoi gjithçka nis një tjetër histori.

Pasi kaluan disa vite nga divorci i parë Marinela dhe Fatosi, u drejtohen zyrave të gjendjes civile, nga ku ribëjnë bashkimin në martesë, martesë e cila do të zgjaste vetëm një vit pasi rinisën debatet. Ata u divorcuan për herë të dytë më datë 5 janar të vitit 2016 dhe 2 të miturit asokohe djali 5 vjeçe dhe vajza 4 vjeçe, me gjykatë me vendim ia kaloi nënës, Marinelës, ndërsa babai, Fatosi duhej të paguante detyrimin ushqimor prej 5 mijë lekësh të rinj për secilin nga fëmijët. Sipas të njëjtit vendim, nga Gjykata e Rrethit gjyqësor Dibër, babai duhet t’i takonte fëmijët e tij të shtunën e fundit të çdo muaji. Kanë kaluar tre vite nga ndarja e dytë dhe Marinela, nuk ka lejuar mundësinë e takimit të fëmijëve me babain, si dhe me askënd tjetër nga pjesëtarët e familjes së ish-bashkëshortit.

Gjyshja e dy fëmijëve, Gjyle Halili e ftuar në emisionin  ‘Pa gjurmë’ ka thënë se vetë Marinela i braktisi fëmijët, ndërsa sot i ka rrëmbyer dhe ata nuk dihen se ku janë. Ajo ka thënë se kërkon vetëm që ti takojë.

Ajo i braktisi fëmijët, ndërsa sot i ka rrëmbyer. Kur Marinela iku, la dy fëmijë. Djali erdhi direkt më kapi nga këmbët. Gjithë natën rrija me vajzën, derisa harroi gjoksin tek nëna. I mbajta për 1 vit e gjysëm. Rrija në oborr dhe mbaja shishet, i kam dhënë edhe ushqim me shiringë se ishte mësuar me gji. Natën nuk flija fare, derisa vajza u qetësua. E kam pritur Marinelën që të më merrte. Jam munduar, kam një zot që e di sa jam munduar.

Gjyle Halili, gjyshja e dy fëmijëve

Gjyshja ka treguar se fëmijët mund të jenë keqtrajtuar nga nëna e Marinelës, jo prej saj. 

Burri ka vajtur t’i marrë dhe ata u kanë thënë se gjyshja ka vdekur. S’do të lë gurë për të parë sërish fëmijët janë gjallë apo jo. Mamaja e Marinelës nuk i do fëmijët. Mamaja i thoshte mos e merr djalin me vete kur të vish, merr vetëm vajzën. Kam 2 vite e gjysëm pa i parë, i kam rritur vetë.

Gjyle Halili, gjyshja e dy fëmijëve

Ora 19:54
Halla mesazh drithërues për nipërit: Marinela të mos i ndajë, ajo gjyshe është me zemrën plot

Rozeta Keshi, halla e dy fëmijëve, rasti i së cilës është trajtuar mbrëmjen e sotme në “Pa gjurmë”, ka lëshuar një mesazh nga ekrani i Report Tv, për mamanë, Marinelën.

Halla ka thënë se dy fëmijët nuk duhet të ndalohen nga Marinela për t’u takuar me ta. Ajo i ka lëshuar një mesazh të fortë Marinelës, kur i thotë se gjyshja është e lënduar dhe se pret nipërit me zemrën plot.

Nëse ka mundësi, Marinela s’ka pse të ndalojë fëmijët. As nga ana e babait, as nga ana e nënës. Nuk ka pse të na shkëputë nga fëmijët. Ajo gjyshe është e lënduar, me zemrën plot. Fëmijët s’duan të flasin, ata janë të vegjël e nuk dinë. Ata duhet të rikthehen, janë fëmijë. Kjo nuk është diçka që e logjikojnë dot. Dua që fëmijët të mos na i pengojnë.

Rozeta Keshi, halla e fëmijëve

f.g./b.ha.
Komento