PD do votim elektronik, a ia zgjidh problemin asaj?

PD do votim elektronik, a ia zgjidh problemin asaj?

Deputeti Oerd Bylykbashi

Deputeti Oerd Bylykbashi, i cili është bashkëkryetar i komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, deklaroi para disa ditësh se votimi elektronik dhe identifikimi biometrik do të provohen vitin e ardhshëm në disa bashki të vendit, që të shtrihen pastaj në të gjithë vendin, në zgjedhjet parlamentare. Sipas Bylykbashit, kjo gjë do të pakësonte ndjeshëm shitblerjen e votës.

Në fakt, fill pas humbjes së thellë në zgjedhjet e vjetshme, PD-ja pretendoi se shkaku kryesor i humbjes së saj elektorale ishte shitblerja e votës. Dhe një nga kërkesat e saj kryesore për zgjedhjet e ardhshme ishte pikërisht futja në përdorim e votimit elektronik dhe identifikimit biometrik të votuesve.

Por sa do të ndikonte ky modernizim i procesit zgjedhor në zgjidhjen e problemeve elektorale të PD-së?

Në zgjedhjet e vjetshme, PD-ja dhe PR-ja morën 200 mijë vota më pak sesa kishte marrë para katër vjetësh koalicioni që ato përfaqësonin. Nga kjo firo, rreth 150 mijë vota mund të shpjegohen me rënien e pjesëmarrjes së votuesve të djathtë, ndërsa 50 mijë me transferimin e votave nga PD-ja tek PS-ja, dhe/ose LSI-ja, dhe/ose PDIU-ja, dhe/ose PSD-ja (shihni analizën e publikuar më parë në “Abanian Free Press” http://albanianfreepress.

Transferimi i votave nga PD-ja tek partitë konkurrente ndodhi kryesisht në zona rurale, larg qendrave urbane. Ky fakt shërben si një indicie (jo si provë), që në ato zona mund të ketë ndodhur shitblerja e votave. Në shkëmbim të votës, kaçiatorët elektoralë të partive konkurrente mund t'u kenë ofruar votuesve të djathtë ruralë pará në dorë ose favore të tjera.

Dhe çfarë efekti ka patur tek mandatet parlamentare ky transferim i 50 mijë votave? Duke analizuar një për një qendrat e votimit ku ka ndodhur transferimi i votave (si dhe qarqet përkatëse), rezulton se një mandat në qarkun Elbasan ka lëvizur nga PD-ja tek PDIU-ja; një mandat në qarkun Dibër ka lëvizur nga PD-ja tek PDIU-ja; një mandat në qarkun Durrës ka lëvizur nga PD-ja tek LSI-ja; një mandat në qarkun Tiranë ka lëvizur nga PD-ja tek LSI-ja; një mandat në qarkun Vlorë ka lëvizur nga PD-ja tek PS-ja dhe një mandat në qarkun Elbasan ka lëvizur nga PD-ja tek PS-ja (Shënim: në qarkun Shkodër ka ndodhur vetëm transferimi i një mandati nga PS-ja tek PSD-ja).

Duke përmbledhur, mund të thuhet se nga transferimi i votës në zonat rurale, PD-së i kanë ikur 6 mandate (drejt PDIU-së, LSI-së e PS-së) dhe PS-së i janë shtuar 2, por i ka ikur 1.

Siç tregon kjo analizë, votimi elektronik dhe identifikimi biometrik nuk do t'ia kishte zgjidhur problemin elektoral PD-së. Edhe sikur teknologjia të ishte futur në të gjithë vendin dhe të kishte parandaluar plotësisht transferimin e votave, PD-ja do të kishte marrë vetëm 49 mandate (nga 43 që mori). Një shifër kjo shumë poshtë 71 mandateve që duhen për të qeverisur vendin. Nga ana tjetër, PS-ja do të kishte marrë 73 mandate dhe partitë e tjera do të kishin marrë 18 mandate.

Në fakt, problemi i madh elektoral i PD-së është rënia dramatike e pjesëmarrjes së votuesve të djathtë. Dhe ky nuk është një problem që zgjidhet me votim elektronik dhe identifikim biometrik. Në qoftë se shumë votues të djathtë (në zonat urbane) nuk shkojnë të votojnë, nuk ka fare rëndësi sesi bëhet votimi, me stilolaps apo me elektronikë.

Është e vërtetë që identifikimi biometrik eliminon votimin familjar, (ku babai voton për bij e bija, nipër e mbesa, që mund të mos jenë fare në Shqipëri). Është gjithashtu e vërtetë që votimi elektronik pakëson mundësinë e fotografimit të votës me celular (për t'ia treguar si provë "pagatorit" partiak). Por nga ana tjetër, është e vetëkuptueshme që këto teknologji nuk e ndalojnë dot një "kaçiator" elektoral të paguajë një votues të djathtë, që të mos shkojë në qendrën e votimit. Gjithashtu, kjo teknologji nuk e frymëzon dot një votues të djathtë, që të shkojë në qendrën e votimit, frymëzimi atij mund t'i vijë nga një lidership që e përfaqëson vërtet dhe që e bind se është i sinqertë në premtime.

Po t'i rikthehemi historisë së afërme. Edhe PS-ja e kërkoi me forcë futjen e teknologjisë në votim, kur ishte në opozitë. Madje u shpenzuan (kot) miliona euro për futjen e saj në qarqet Tiranë dhe Fier. Por fitorja PS-së nuk i erdhi nga teknologjia elektorale. I erdhi nga 1 milionë "shuplakat" e koalicionit të saj.

A mundet që edhe PD-ja të ndërtojë një koalicion "1 milion shuplakësh"? Ky është problemi më i madh elektoral i PD-së...AFP

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sajmiri: 12/08/2018 14:34

    Eshte I vetmi qe u bie ne koke KRIMINELEVE mshtruesve DROGAXHINJEVE tjetersuesve te VOTAVE te PS BRAVO Z BYLYBASHI VAZHDO KEMBENGULJEN PER VOTIM ELEKTRONIK

    Përgjigju
  • redi: 25/06/2018 16:16

    Bylykbashi eshte nje megaloman , qe kujton se cdo perceptim i tij ne ceshtjet elektorale eshte i drejte . Eshte personi kryesir qe morri pjese ne vjedhjet elektorale te vitit 2009 , kur vet Saliu pranoi te hapeshin kutite , ky kundershtoi me te madhe , se e dinte katrauren qe kishin bere bashke me Ristanin . Nese dhe me votimin elektronik do humbin ( dhe eshte e sigurte se nuk i beson populli) cfar di thote ky person?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e Gjykatave e Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Çudira në Shkodër, Vllaznia shkarkon Qatip Osmanin! Kush e zëvendëson trajnerin

Çudira në Shkodër, Vllaznia shkarkon Qatip Osmanin! Kush e zëvendëson trajnerin