POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Petro Marko/ Kujtimet e fëmijërisë në një bllok shënimesh

Petro Marko

Dorëshkrime nga një bllok i Petro Markos, ku janë hedhur shumë kujtime nga fëmijëria, përjetimet e tij të hershme, përshkrimet për vendlindjen, shtëpinë ku u rrit e u formua si karakter dhe origjinën e rrënjëve të tij…

 Ato që më kujtohen pse të mos i shkruaj?(…Se duke kërkuar të vërtetësn dhe pasi: linda në fortunë, jetova në furtunë, pse të mos i kutoj ngjyrat e shkumërave, që lëshonin dallgët kur përplaseshin në shkëmbejt’ e kokallave të mia?”. 

Gusht 1968. Petro Marko i shkruan këtë pak rreshta në një bllok shënimesh me kapakë të trashë e lidhje metalike. Është faqja e parë e këtij blloku ku që në krye ai shënon titullin “Nga rruga e gjatë e jetës sime”. Gjithkush mund të kujtojë të famshmen vepër të tij “Intervistë me vetveten”. Por nuk është ajo. Kjo është një grishje më e hershme se “Intervista”. Mbase është rruga ku shënoi startin ajo vepër, një pikë referimi për të. Intervista do të shkruhej prej tij vite më vonë. Le të mbetemi këtu, tek ky bllok me shkrimin e tij karakteristik, që ruhet në familjen e shkrimtarit ems shumë dorëshkriemev të tjera.

Këto rrëfime të shkurtra mund ti shërbejnë gjithkujt si një grishje për të eksploruar atë pjesë të botës së pasur të shkrimtarit, që e brumosi atë. Kjo ishte fëmijëria e Petro Markos.
Ad.Pe.  

Origjina
Mama Mille quhej gjyshja ime- nëna e babait. Një grua-thonë: më e bukura e fshatit tim-shumë tipike për të simbolizuar gruan himarjote. Ajo emrin e kishte Fotina Mëhilli ose Maruli. Ishte një nga një familje detarësh  që shkonte me pëlhurat e fryra, kur gjeminë e shtyn era e mistralit. Kishte pak fjalë por ligjërimet e saj ishin poezi. Ajo më rriti.

Gjyshi im Jani rridhte nga familja e Gjin Buas-(Jo Gjinit të Madh, por nipi i tij) i cili erdhi në fshatin tonë dhe aty në konaket ky lindi gjyshi im, babai im, motra dhe vëllezërit e mi, gjendet ende një konak gërmadhë që quhet konaku i Gjinit.  Ai bëri dy djem: Markon dhe Gjonin...Kështu ajo rrëzë e Qendushës (ashtu quhet ajo bregore shkëmbore që dominon gjithë fshatin) u bë lagja jonë: Buaj, Gjonaj, Markaj – një origjinë, që ende sot e kësaj dite nuk martohen me njëri-tjetrin, se janë të një barku...

Gjyshi im Jani, u martua me Fotinën e bukur. Pati dy djem: Markon dhe Andrenë si edhe një vajzë Evanthinë...Gjyshi im nuk i gëzoi djemtë e tij. Ata i rriti Fotina, duke punuar. Ngaju kështu: Një ditë, kur ishte Jani i ri, pinte rum me një shok të tij në pijetoren e Domo Dabos. Pinë shumë. Gjyshi im e pyeti shokun e tij: Pse nuk martohesh?” Dhe ai u përgjegj: “Ç’të martohem or Jani! Atë që desha unë e more ti!” dhe nuk folën më. U ndanë. Jani u kthye shumë vonë në shtëpi. Shkoi dhe u shtri pranë Vatrës. Gjyshja kur e pa kështu vajti e mbuloi dhe u shtri pranë fëmijëve të saj që flinin: Markoja pesëvjeçar, Andrea trevjeçar dhe Evanthia një vjeçare.

Gjyshi pa gdhirë mirë, në mëngjes, puthi në ballë tre fëmijët që flinin, ngarkoi mushkat me vaj, dhe pa i thënë asnjë fjalë gjyshes sime, iku. Thonë se nga Delvina vajti në Janinë. Dhe nga Janina u zhduk. Im atë kur u rrit e u bë i pasur, ç’nuk bëri për të gjetur bananë e tij! Kërkoi e kërkoi po asnjë gjurmë. Pas shumë viteve u hap lajmi se ai rronte në Izmir, ku ishte martuar dhe kishte bërë dy djem: Markon dhe Andrean. Pastaj nuk u fol më. Gjyshja ime gjatë gjithë jetës, kurrë nuk e përmendi me fjalë. Kush e di, ajo duke qarë djemtë e saj, mbase e qante dhe atë...

Gjyshja është figura më e dashur, më e shtrenjtë e jetës sime. Qysh i vogël, kurdoherë i shpija diçka kur kthehesha nga bahçet ose nga bregu i detit. Dhe ajo lëmonte flokët e saj të bardhë e më thoshte: “Paç uratën, or bir!” dy djemtë e saj e donin dhe e nderonin shumë dhe bënin çmos që ta gëzonin e ti lehtësonin dhembjet e saj, se vajzën e vetme e humbi nuse fare të re, burrin e humbi, dy vëllezërit e saj detarë u mbytën në Toronto- në kanalin e madh që ndan Kanadanë nga shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo krenohej me dy djemtë e saj. 

Im at
Një darkë, ishte dimër, kur ishim rreth vatrës, mua babai më mbante në prehër se më kishte mësuar disa vjersha që nuk thuhen. Atë mbrëmje ne hanin supë pule, me limon dhe vezë... Erdhën tre karabinierë të gjatë gjer në tavan. Me kapota të zeza dhe me disa kapela të zeza si varka të mbytyra. Ata folën italisht. Im atë  e dinte italishten, se bënte tregti dhe kishte si qendër Triesten... Im atë u ngrit. Ata i hodhën prangat. E lidhën. Ne qanim. Pesë vëllezër, një motër, nëna dhe gjyshja. U mblodhëm të gjithë rreth nënës -Zoicës- dhe të gjithë u kapëm tek fustani i saj i zi. Ajo hapi krahët, sikur deshi të na përqafonte të gjithëve. Gjyshja bërtiste. Karabinierët e shtynë shumë herë. Para se të dilte im atë nga dera tha: “Ruani tokën...Mos e shitni. Ajo është nëna dhe babai juaj...”        

Si mësova të lahem në det
Në Kaçul, ose Jaliskar, është një vend që quhet “Hundët”. Atje janë tri hundë. Hunda e parë nuk është e thellë. Hunda e dytë mua më mbulonte. Më morën shokët që dinin not. Unë bëra kryqin. Ata më hodhën në hundën e tretë që ishte më e thellë. U zhyta thellë. U zhyta brenda. Ata që ishin në det, mua më më nxorën mbi ujë.

Më bërtisnin: “Luaj duart! Luaj këmbët! Mbaje lart kokën!” Pasi e panë që unë kisha pirë shumë ujë, më nxorën në stere. Më varën me kokën poshtë sa volla gjithë ujin. Pastaj më hodhën përsëri në hundën e tretë. Përsëri u zhyta thellë. Më nxorën mbi ujë. Më bërtisnin: “Luaj këmbët! Luaj duart! Kokën lart!” Unë lëvizja. Pija shumë ujë. Përsëri më nxorën në stere. Më varën me kokën poshtë. Zbraza ujin që kisha pirë. Përsëri më vërtitën në ujë... Vazhduan kështu gjer pasdreke. Gjersa unë mësova të qëndroja mbi ujë. Edhe të nesërmen po këtë punë bënë. Gjer në drekë mësova të qëndroja mbi ujë dhe të notoja duke lëvizur këmbë e duar.

Ditën e tretë më thanë të hidhesha vetë. Dhe unë u hodha. Nuk kishte asnjeri në det. Dhe asnjë nuk erdhi të më ndihmonte. Ata më thërrisnin që nga shkëmbi: “Mirë! Lëvizi më lehtë! Mos u nxito! Mbaje kokën drejt! Mos u shtrëngo! Merr frymë!...”
Ditën tjetër unë notoja mirë. 

Heroizmat …( Ashtu si ngjanë)
Isha akoma kërthi. Porsa kisha filluar t’u ngjitesha shkallëve të brendshme. Nga taraca akoma nuk isha rrëzuar. (Nga taraca, thuajse të gjithë kishin rënë. Vangjeli, kushëriri im o parë, mbeti sakat për jetë: me supet dhe kurrizin të thyer). Kur unë ngjitesha shkallëve të brendshme, po të gjeja kamarullën (ashtu i themi dhe sot, dhomës së prindërve tanë, ku është musandra me xhama dhe dollapet e gjata me serviset), unë menjëherë do të hyja brenda.

Dhe do të çelja dollapin e katit të poshtëm. Aty ishin qindra pjata porcelain të çdo madhësie… Një ditë unë kisha marrë një çekiç dhe thyeja pjata… Nëna që ishte poshtë, dëgjoi zhurmën dhe erdhi menjëherë… Më gjeti duke u rënë pjatave. Kisha thyer  nja gjashëdhjetë… Nga inati, ajo më mori dhe më vërtiti nga shkallët. Unë u rrokullisa tatëpjetë duke ulërirë. Në atë kohë hyri babai. Dhe duke më marrë në prehër, më puthte dhe më përkëdhelte. I bërtiti nënës. Dhe ajo i tregoi për dëmin e madh që kisha bërë. -Punë e madhe!- i tha ai. –Pjatat i blejmë përsëri, po Petro të dytë nuk bën më ti...

Eksperimenti i parë
Në shkollë, mësuesi na tha se bota rrotullohet... Unë mendova kështu: natën, dyshemeja bëhet tavan, dhe tavani bëhet dysheme... Megjithatë, desha ta provoja. Gjeta një kuti mishi të hedhur...(Sa kuti mishi kishte fshati ynë! Të hedhura përrenjve dhe lëndinave...Italianët i kishin hedhur kur kishin okupuar vendin...)

Atë scatola di carne- ashtu u thoshin kutive të hedhura, e vura majë një shkëmbi. I bindur se të nesërmen nuk do ta gjeja aty...po të humbur në thellësitë e qiellit, pai “bota që rrotullohej” natën do ta kthente shkëmbin kokëposhtë...U habita kur kutinë e gjeta në vend, që pagdhirë, kur vajta për të kontrolluar eksperimentin tim të parë.

Kripa
Ishte e ndaluar të nxirrnim kripë nga ujë deti. Kripa ishte monopol. Mirëpo fshatarët e varfër, ishin mësuar që kripën të mos e blinin: Ose e bënin vetë, ose e mblidhin në spitharët e bregdetit shkëmbor, gjer në Karaburun, gjer në erimi.(Erimi (shkreti)i thoshin gjithë Memuçit) Mama Katerina, e shoqja e Liços, (vëllait të gjyshit tim) më dërgonte mua në det. Mbushja disa kunguj me ujë dhe i zbrasja pastaj kazanët...Aty në Rahi, që ishte pranë detit, gjenim ujin e detit. Pastaj e hidhnim në tepsi dhe e linim në diell, ku terej, thahej e kristalizohej. Sa punë!(?) Sa vapë! Sa etje...për pak kile kripë, të cilën e bënim me frikë nga xhandarët që ruanin ujt’ e detit.

Unë mblidhja kripë dhe në spitharët (lerat) e bregut shkëmbor. Zbathure në piskun e vapës, vetëm në atë breg shkëmbor, ku gurët janë si maja bajonetash, ose si qelqe të thyera të ngulura dendur me majën përpjetë, duke pasur frikën e xhandarëve, -se po të më gjenin, do të ma merrnin kripën dhe do të më rrihnin-mblidhja atë kripë të bardhë...Dhe çuditesha, se në lerat(spitharët) ku kripën e kisha mbledhur, kur kthehesha pas dy orësh përsëri sipërfaqja ishte kristalizuar...

Thyerja e llampës 
Llampa e madhe që varej në tavanin e dhomës së madhe (të katit të sipërm) rrallëherë ndizej, që kur mbemë jetimë. Ajo llampë e madhe me një mbulesë kristali, ndizej kur ishin ditët e bardha, kur im atë shtronte darka për mysafirë. Tani që ne mbemë jetimë dhe shumë të varfër, ajo llampë nuk u ndez kurrë. Kishim një llampë vajguri (të zakonshme) nga ato që na binin tregtarët kur ktheheshin nga Trieste. Shpesh herë qelqi i thyhej, sidomos kur pastrohej, se zinte një shtresë së zezë.

Dhe thyhej shqesh qelqi, se “rrethi i kokoshit” ai rreth metali që ngjitet në buzët e enës që mban vajgurin dhe mban kokoshin që mban fitilin dhe qelqin, ishte shqitur nga xhami, prandaj lëvizte dhe rrëzonte qelqin. Megjithëse qelqi bënte gjysmë leku, për ne ishte një gjë e madhe ta blinim përsëri qelqin.

Një mbrëmje, Foto, vëllai më i madh, që gjithnjë rrinte në qoshen e vatrës, aty ku rrinte babai kur qe gjallë, e ndezi llampën dhe do ta vendoste te gozhda në buari, po “kokoshi” lëvizi dhe ra qelqi e u bë copë. Foto i xhindosur me llampën në dorë, nuk dinte se ku ta vinte. Më në fund, e vërtiti në buarin e thellë, u bë copa dhe vajguri mori flakë.

“Na griu kjo llampë! A kemi para të blejmë përditë nga një qelq!” tha këto dhe pastaj qeshi “më mirë me dritën e zjarrit se me atë të llampës” vazhdoi... Po Lilo (motra) shkoi dhe bëri nëj kandil me vaj ulliri dhe e vendosi përmbi buarin. Nuk e mbaj mend se sa kohë ndenjëm pa llambë. Prandaj binim shpejt për të fjetur.

Puna e parë
Isha më i urti i familjes. Andoni, Agjisilla...shkonin edhe tek familjet më të afërta  për të ngrënë ndonjë gjë. Sidomos tek Malja-Male i thoshim gruas së dajës(Fotos)-një grua zemërmirë që qante gjithnjë kur na shihte. Unë rrija pa ngrënë. Veja në Rahi. Aty, në breg, ishte një ndërtesë e vjetër që e quanin Tabor. Siç duket, aty turqit kishin pasur postën e kufirit ose të vrojtimit të bregdetit. Në Tabor, ishte edhe një rrap, i cili nuk rritej, hem nga thatësira, hem nga toka e fortë gëlqerore.

Në Rahi, unë punoja. Potisja, prashitja. Ngrija ledhe. Dhartoja. E ruaja Rahin, sipas porosisë së babait… Te mesi i vreshtit, kishim një parcelë që e mbillnim me qepë, ose farë qepe, ose presh, ose patate...

Ishte koha e mbjelljes së patates. Të gjithë mbillnin. Unë i shikoja dhe qaja. Se Rahi deshi njerëz. Deshi punë. Ç’bëra. Iu futa që pagdhirë parcelës së gjatë (nja tridhjetë apo pesëdhjetë metra) dhe të ngushtë (nja gjashtëdhjetë metra) me shatë. Punoja me një frymë. Pa pushuar fare. Kalonin andej fshatarë. Më shihnin. Disa më  bërtisnin: “Mos u nxito, o Petro! Do të vrasësh veten, more djalë!” Po unë nuk i dëgjoja. Djersa më kullonte. Dhe unë e fshija me duart plot dhe. Ndaj isha bërë gjithë dhe në fytyrë. Punoja...Punoja...I kisha thënë vetes: “Ja e punoj gjithë parcelën, ja nuk kthehem i gjallë në shtëpi!” Hera-herës shihja diellin e shkurtit të afrohej nisive të horizontit... “Edhe pak se e mbarova!”

Me ta mihur mirë, fillova të bëj gropat...Preva patatet, ashtu siç i bënin të tjerët... dhe kur u err unë e kisha mbjellë gjithë parcelën. Dhe u ktheva vonë në shtëpi. Të tjerët flinin. Vetëm mama Millja më priste.

Ajo qante dhe diçka më thoshte. Po unë isha aq i dërrmuar, sa jo vetëm që nuk e dëgjova, po me tu futur brenda në dhomën e madhe, u shtriva dhe menjëherë më zuri gjumi.

E mbaj mend ditën kur nxorëm patatet. Unë gëzohesha. Të gjithë më uronin. Nxorëm tetë qase plot. Pa llogaritur ato që hanim përditë. Se përditë nxirrnim dhe nga një ose nga dy rrënjë... Pa llogaritur dhe ato që na vidhnin...Se unë vija re kurdoherë gjeja gropa... “Ah, njerëz të ligj!”-thoshja me vete. Dhe qaja. Dhe mbushesha me plot zemërim kundër atyre që natën vidhnin patatet…       

l.q.
Komento