Që Kalimashi të mos i ngjajë armëve kimike

Që Kalimashi të mos i ngjajë armëve kimike

Protesta dje ne Rrugen e Kombit

Në orët e fundit kryeministri Edi Rama ka dalë dy herë para shqiptarëve për të davaritur retë e tymit që u ngritën nga vendkalimet e pagesave në tunelin e Kalimashit.

Ka bërë më në fund atë që, në kushte shumë më rutinore dhe normale, duhej ta kishin bërë ministrat e tij të financës dhe punëve publike muaj më parë.

Është dashur dhuna dhe përplasjet e dënueshme të protestuesve kuksianë, që të ketë një moment kthjellimi dhe sqarimi, rreth arsyeve që çuan në vënien e tarifave për kalimin në Rrugën e Kombit.

Protesta në tunelin e Kalimashit mori përmasa qartësisht antiligjore, të cilat nuk mund të gjejnë asnjë justifikim, as tek paqartësia që krijoi koncesioni i rrugës së Kombit, as tek vonesat e lexueshme të qeverisë në sqarimin dhe kontaktet me komunitetet që preken nga ky koncesion.

Djegia dhe shkatërrimi nuk duhet të jenë asnjëherë në menunë e protestave në një vend normal.

E megjithëse ne vështirësisht quhemi një shtet normal, sipas standartit europian të të qenit i tillë, sërish ajo që pamë në Kalimash të shtunën, ishte një shfaqje që e kishim harruar, që nga kohë që s’mbahen mend.

Një parim i pashkruar i mjekësisë thotë se është më mirë të parandalosh, sesa të mjekosh. Dhe qeveria duhet ta kishte parandaluar atë që ndodhi në protestën e fundit.

Më së paku duhej të ishte angazhuar që të shuante ato flakë që po ndizeshin gradualisht, pas njoftimit për listën e tarifave të rrugës, të cilat tani na del se do të rishihen me autoritetet lokale të Kukësit. Të paktën sa i përket banorëve lokalë, të cilët ishin edhe epiqendra e protestës.

Rruga e Kombit po bjerret në sytë e të gjithëve atyre që e frekuentojnë. Po shemben skarpatet e pasistemuara, po dëmtohen ndarëset e korsive, po degradon asfalti dhe vijojnë të mbeten të papërfunduara veprat e artit, urat e mbikalimet që s’u bënë kurrë nga qeveria paraardhëse.

Qindra milion euro korrupsion që ajo rrugë mban në arshivat e saj me firmën e Berishës e Bashës, janë zanafilla e kësaj situate anormale dhe absurde.

Në këto kushte është e qartë se ky projekt prej një miliard eurosh, rrezikon të çojë dëm edhe koston që u përdor për ta ndërtuar, ndërkohë që politika në Tiranë luan lojën e pështirë të tipit “hip se të vrava, zbrit se të vrava”. Rrugë të përmasave si kjo e Kombit pa pagesë nuk ka, edhe Berisha, edhe Rama, edhe Basha e dinë mirë këtë detaj. Mungesa e sinqeritetit në këtë pikë është shkak madhor i tensionit dhe reagimit popullor.

Edi Rama gjen papritur në axhendën e tij të punës një problem që as e kishte parashikuar se do të ndodhte dikur. Është pikërisht aftësia për të parashikuar atë që nuk shihet ose që ndodhet e fshehur mes rreshtave, ajo që e dallon politikanin nga njeriu i zakonshëm.

Kush kujton çfarë ndodhi me çmontimin e armëve kimike siriane, kur presioni i protestuesve e detyroi ta anullojë nismën e ndërmarrë së bashku me amerikanët, edhe në këtë rast Rama po korr frutat e hidhura të një komunikimi të munguar dhe difektoz me publikun.

Shumëkush e kujton sesi pasi ne vërshuam në rrugë për t’i thënë jo helmeve të Asadit, Italia i mori stokun e tyre në Jug të gadishullit Apenin dhe nisi t’i zbërthejë pa asnjë reagim popullor. Kryeministri shqiptar duhet të mësojë nga ai leksion i hidhur moskomunikimi me shqiptarët. Tarifat e një rruge thellësisht strategjike e me impakt ekonomik për Shqipërinë dhe Kosovën, e cila ka kushtuar më shumë se asgjë e ndërtuar në historinë e shtetit shqiptar, nuk mund dhe nuk duhej të ishin një akt banal burokratik.

Pikërisht në emër të mungesës së transparencës dhe korrupsionit masiv që ai projekt mbart mbi vete nga e shkuara, qeveria aktuale duhet të kishte përdorur të gjitha mjetet e saj të komunikimit dhe kontaktit me komunitetet lokale, biznesin e qytetarët shqiptarë, për të shpjeguar sesa dhe sesi do të paguhej për ta mbajtur në jetë Rrugën e Kombit.

Ky shtet ka dhjetra burokratë e zyrtarë, drejtorë e ministra, që paguhen për të llogaritur kostot e tarifat e të gjitha llojeve.

Është krejt pa vend që rolin e llogaritarit ta bëjë tani kreu i qeverisë, pasi ka dalë tymi në Kalimash, meqë këta anonimë zyrash apo anëtarë qeverie nuk janë urdhëruar të bëjnë transparencë për publikun atëhere kur duhej ta bënin.

E kjo bën që Edi Rama të marrë edhe një herë mbi vete tani, kostot e heshtjes dhe të vonesës.

Ashtu si në rastin e armëve kimike, kur e mbajti të fshehtë nga të gjithë atë që fliste orë e çast me ambasadorin amerikan. Këtu qëndron epiqendra e krizës së tarifave në rrugën që na lidh me Kosovën, e që sot duhen negociuar nga e para, dy vjet pasi janë zbardhur në letër.(javanews.al)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vaja: 01/04/2018 19:15

    Z Minxhozi ke te drejte KRYEMINISTRI YNE KA NEVOJE PER ASISTENCE POLITIKE AI NUK ESHTE POLITIKAN KJO VIOLENCE MUND TE ISHE SHMANGUR TIMONIERI YNE E HODHI MAKINEN NE GREMINE

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Kjo periudhë është ideale për ta lënë veten të shkoni të dashuria dhe ndjenjat... horoskopi për sot

Kjo periudhë është ideale për ta lënë veten të shkoni të dashuria dhe ndjenjat... horoskopi për sot