Minxhozi: Nën sindromën e rrugicës

Minxhozi: Nën sindromën e rrugicës

Sali Berisha

Një rrugicë është një vend i ngushtë për definicion. Ka lindur e tillë. Nuk mund të prodhojë dhe as të rrisë ngjarje të mëdha. Duket se edhe turma e vogël e njerëzve që mblidhet tek rrugica ku banon Sali Berisha e di fort mirë këtë por bën teatrin para kamerave me premtime të mëdha, me kërcënime serioze dhe thirrje po kaq të fryra e pompoze.

Opozitës së sotme, pas çarjes në disa pjesë, pas listës së humbjeve që tashmë është vështirë edhe t’i numërosh e t’i mbash mend, pas bllokadës reale nga Perëndimi, duket se i mungonte edhe futja në një rrugicë të ngushtë të Tiranës. Duket si stadi i fundit i banalizimit dhe mpakjes së një partie që ka disa shpirtra e disa frymë nëpër kryeqytet, por që njëherësh s’ka as unitet të brendshëm dhe asnjë plan konkret për të dalë nga gropa ku ndodhet.

Piskama e përditshme e Doktorit nga maja e pallatit është i vetmi faktor lëvizës brenda opozitës së sotme. Meta thuajse është zhdukur, Basha del në media një herë në disa muaj për t’u tërhequr sërish s’dihet mbi çfarë taktike dhe logjike, kurse të tjerët vijnë rrotull nëpër Tiranë sa te njëri tek tjetri. Procesi i thërmimit të opozitës ecën pandalur dhe rrethi vicioz fillon e mbaron tek i njëjti vend: rrugica tashmë e famshme e Salës!

Ky rreth vicioz është shpjeguar e debatuar gjatë në opinionin pulik shqiptar prej disa vitesh. Më saktë qëkurse Sali Berisha është futur në listën e zezë të amerikanëve, kohë para se Spaku e Altin Dumani të hapnin petët e lakrorit të ndërtimeve të klubit Partizani. Ky rreth vicioz vijon të krijojë pasoja të rënda për opozitën shqiptare dhe është mirë të shpjegohet më shumë se një herë për veshët e shqiptarëve, pasi magnituda e efekteve që po krijon e kërkon diçka të tillë.

Demokratët po reklamojnë disa të drejta që po e gjejnë të vështirë t’i marrin. Rithemelimi ka paraqitur tre kërkesat e njohura që lidhen me komisionet hetimore dhe pjesëmarrjen në reformën zgjedhore, PD zyrtare e Bashës kërkon veting politikanësh dhe reformë të thellë elektorale. Të gjitha palët opozitare kërkojnë dika në derën e Ramës, por ajo derë ka qëndruar e ftohtë dhe e painfluencuar nga thirrjet e kërcënimet e opozitës.

Këtu nis e merr formë rrethi vicioz për të cilin ka shumë kohë që diskutohet. Kërkesat dhe pretendimet e opozitës janë parashtruar, diskutuar dhe eventualisht zgjidhur në të tjera kushte nga këto të sotmet. Ka qenë jo vetëm një opozitë e bashkuar, e jo një konglomerat sherrxhinjsh si ky i sotmi, por mbi të gjitha ka qenë një pakicë e asistuar rregullisht nga presioni ndërkombëtar mbi maxhorancat, në mënyrë që palët të uleshin në tryeza bisedimesh. Ka ndodhur kjo qysh në vitet ’90 kur antagonizmi politik ka qenë i skajshëm, e më tej në vitet 2000 kur çdo reformë madhore është kryer në prezencën e të huajve. Fytyra e emra të pafund emisarësh nga Perëndimi, kryeministra, eurodeputetë, partiakë të njohur të kontinentit, pa harruar edhe të gjithë ambasadorët amerikanë në Tiranë, kanë qenë garantët e marrëveshjeve që janë sigluar mes palëve, duke tejkaluar momente bllokimi dhe kriza të të gjitha përmasave.

Rrethi vicioz ku fati politik i Sali Berishës e ka futur opozitën sot ka të bëjë me faktin se prezenca e tij në krye të panelit opozitar ka bërë që të huajt të braktisin tryezën e bisedimeve. Atë tryezë për të cilën opozita ka aq nevojë sot. Shurdhëria dhe arroganca e socialistëve e ka një bazë, ajo nuk ngrihet mbi vullnetin e vërbër të Ramës për të thënë “Jo” thjesht për dëshirë apo kokëfortësi. Qëndrimi i tërhequr i perëndimorëve ndaj krizës aktuale, insistimi i tyre për të mos ndërmjetësuar mes qeverisë dhe Rithemelimit, e ka zanafillën tek prania e Berishës në zyrën e kryetarit.

Mund të harxhoheet kohë plot duke debatuar nëse shkon ose jo ky lloj presioni i SHBA, Britanisë e të tjerëve mbi Sali Berishën. Fakti është se duke harxhuar kohë për këtë gjë, e jo duke e lexuar me realizëm atë që po ndodh, pasoja do të jetë afatgjatë dhe e paevitueshme. Sali Berisha reklamon të drejta pranë atyre të cilët i ka quajtur të blerë me para tek McGonigal, kërkon ndihmë tek italianët të cilëve ju dërgon në Kushtetuese projektin e Gjadrit për refugjatët, pasi ju ka premtuar të kundërtën. Pasi ke hedhur në gjyq Amerikën (në Paris!!!), nuk ke ç’kërkon më nga ata. E as nga evropianëët, të cilët siç Doktori e di fort mirë, janë të koordinuar fund e krye me amerikanët në këto qëndrime.

Ky është rrethi vicioz që nis tek selia buzë Lanës dhe mbaron tek rrugica e Saliut. Është ai rreth vicioz i ndërtuar me parimin dritëshkurtër të shpëtimit me çdo kusht të faqes dhe dinjitetit personal e familjar të Sali Berishës, duke shpërfillur gjithçka vjen pas. Berisha ka bllokuar procesin politik në Shqipëri, duke bërë që askush të mos ikë, por vetëm të vegjetojë në postin që mban. Djathtas dhe majtas.

Sindroma e rrugicës po merr në qafë të gjithë opozitën. Edhe copëzën e Lulit me stemë e flamur qëndrisur në jakën e këmishës, e cila është fshehur nga frika e zemëratës së Doktorit e flet sikur e ka zënë lemza. Ndërkohë Edi Rama rri e vështron…

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë