Skënder Minxhozi: Nuk kanë hallin e Gjadrit, por të Melonit

Skënder Minxhozi: Nuk kanë hallin e Gjadrit, por të Melonit

Edi Rama dhe Giorgia Meloni

Në mesin e krizës për bashkinë e Himarës, verën e shkuar, kryeministrja italiane Meloni erdhi për disa ditë pushimi në Jug të Shqipërisë. Pjesë e një dallge turistike me italianë që vërshuan në brigjet tona, Meloni duket se e shijoi qëndrimin tek vila e ish-kryeministrit Mehmet Shehu, si dhe ecejaket nëpër brigjet e Jonit. Muaj më vonë mësuam se në atë hark kohor mes saj dhe Ramës ishte pjekur idea e krijimit të një baze emigrantësh afrikanë në zonën mes Shëngjinit dhe Gjadrit, për të ndihmuar menaxhimin e flukseve migratore me të cilat Italia përballet çdo vit.

Me gjasë kjo vizitë nuk i ka pëlqyer aspak kryeministrit grek Micotaqis, pasi vinte si një ndihmë urgjente për Ramën në momentin e përplasjes për çeshtjen Beleri. Aq më pak i ka pëlqyer ajo Rithemelimit dhe Berishës, edhe ata të përfshirë në anën e Belerit në përplasjen Tiranë-Athinë. Kjo diplomaci me kapele kashte në kokë e Melonit dhe Ramës vinte në një moment kur dukej se po krijohej një mur izolimi në kufinjtë jugorë të Shqipërisë. Një rrethanë nga e cila do të përfitonte së brendshmi edhe Sali Berisha në Tiranë.

Edi Rama është një lider partiak me tendenca të theksuara apolitike. Nuk beson në ndonjë ideologji, aq sa edhe partisë më të vjetër në Shqipëri i ndërroi ngjyrën, i shpiku një “nofkë” (Rilindje) dhe i ndërroi gjithë elitën e vjetër politike. Një ndër tiparet e kësaj sjelljeje që bazohet tek pragmatizmi politik, është raporti që ka vendosur me liderët ndërkombëtarë konservatorë, nga Trump, Merkel, Sarkozi, Orban e së fundi Meloni apo të tjerë kryeministra evropianë të të djathtës me të cilët takohet shpesh.

Në një Evropë që dominohet nga erërat e djathta, kjo ka qenë ndër vite një recetë suksesi për një politikan të majtë të një vendi të vogël që megjithatë ka marrë një peshë të pazakontë në rajon në vitet e fundit. Fjala vjen, Rama akuzohet për lidhjet me ultraliberalin Soros, por në krizën më të thellë të qeverisjes së tij, në pranverën e dorëzimit të mandateve nga Basha e Berisha, ka qenë administrata Trump ajo që është bërë garante e qeverisjes së Edi Ramës në Tiranë, sa herë që protestuesit e PD bëheshin gati t’i vinin zjarrin godinave të qeverisë!

Xhorxhia Meloni është vetëm e fundit politikane e djathtë e kësaj liste miqsh pragmatikë që ka kryeministri shqiptar nëpër kontinent. Dhe kjo s’mund t’i pëlqejë një veterani të së djathtës si Berisha, i cili nuk u influencua nga pozita e tij e palëvizshme ndaj marrëveshjes së emigrantëve, edhe pas telefonatës së zëvendësit të Melonit, ministrit të jashtëm italian Tajani.

I gjithë ky sfond duket se është korniza bazë e mllefit që ka zënë rrënjë brenda opozitës së djathtë shqiptare dhe vetë Sali Berishës, në lidhje me marrrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët. Nuk është halli tek tokat e Gjadrit apo kalatat e portit të Shëngjinit, por tek fakti që autori i negociatës ka qenë Rama, e jo vetë Berisha. Opozita e kupton se ky akord shqiptaro-italian vjen në momentin kur kujtohej se bllokada greke mbi procesin e integrimit do të sillte një kolaps gradual të Shqipërisë në bisedimet me Bashkimin Evropian. Për pasojë, do ta vinte në vështirësi qeverinë e majtë shqiptare.

Roli italian dhe ai gjerman kanë qenë më së shumti faktori shbllokues që ka vënë në pozitë të vështirë Athinën, në reklamimin që ajo i bën rastit Beleri, duke kërcënuar Shqipërinë me bllokim të negociatave me Brukselin. Në mesin e këtij baleti diplomatik, marrëveshja e refugjatëve jep një mesazh politik çlirues jo vetëm për palën italiane, por edhe për vendet e veriut të cilat e shohin me shqetësim fenomenin e flukseve migratore nga Mesdheu.

Në këtë mes pozicioni i ashpër i opozitës në Shqipëri rrezikonte të ndalte ende pa nisur kontributin e palës shqiptare në këtë situatë të turbullt për Melonin e Italinë, por edhe për Unionin më në gjerësi. Qëndrimi i thartë i opozitës reflekton në një shkallë të konsiderueshme vullnetin e saj për t’i prerë rrugën një investimi diplomatik që Rama akuzohet se po e bën më shumë për fatin e tij personal, sesa për t’i dhënë një dorë fqinjëve në menaxhimin e refugjatëve afrikanë.

Marrëveshja për emigrantët me Italinë është krahasuar gjatë këto orë me marrëveshjen detare me Greqinë, të rrëzuar 13 vjet më parë nga Gjykata Kushtetuese. Një krahasim i tillë nga vetë opozita ka pamjen e një autogoli, për sa kohë që marrëveshja Rama-Meloni nuk jep pa të drejtë kthimi pjesë të territorit, por është thjesht e përkohshme. Krahasimi me marrëveshjen detare vetëm sa ju kujton shqiptarëve të thjeshtë sesi një qeveri e dalë nga vota e tyre, ndërmori një hap që u konsiderua nga Gjykata Kushtetuese asokohe si një atentat i mbetur në tentativë për të cënuar tërësinë terrioriale dhe sovranitetin shtetëror të Shqipërisë. Në rastin e detit egsistonin të gjitha premisat që të humbnim një sasi jo të vogël sipërfaqeje detare, e kjo do të ishte një gafë e pariparueshme dhe e pakthyeshme. Ata që bëjnë sot patriotin duke reklamuar sesa ju dhemb që fshatrat e Lezhës “të dalin nga sovraniteti territorial i vendit”, le të shohin çorbën që gatuan 13 vjet të shkuara me Karamanlisin e Bakojanin!

Sa herë kemi pasur nevojë për Italinë në këto 33 vjet, fqinjët tanë perëndimorë kanë qenë aty. Kanë strehuar qindra mijë shqiptarë, kanë respektuar shumë më tepër se të tjerët identitetin, kulturën, dhe zakonet tona, pa na ndërruar as emrat dhe as fenë familjarisht. Italia ka qenë dhe mbetet dritarja jonë më e parë drejt Perëndimit, ka qenë ëndrra që e shihnim përmes hekurave të regjimit komunist dhe streha më e afërt për ne kur merrnim rrugët e kurbetit. Sa herë jemi kacafytur me njëri-tjetrin këto në dekada tranzicion, italianët kanë ardhur të na ndihmojnë për të kaluar krizat e jo për të përfituar në mënyrë hileqare prej tyre!

Është krejt normale që të bëjmë një sakrificë për këtë vend aleat me të cilin nuk kemi asnjë problem, por përkundrazi kemi interesa të përbashkëta dhe miqësi solide. Pak rëndësi ka kush qeveris në Tiranë e Romë. Kemi bashkëjetuar si dy shtete mike e bashkëpunuar mes nesh përtej qeverive e krahëve politikë. Ajo që ndodh sot me marrëveshjen e emigrantëve është thjesht një teatër politik për arsye dhe konsum të brendshëm. Asgjë më tepër. Lezhën dhe Gjadrin s’po i merr askush për t’i nxjerrë në bregun matanë.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Meri: 31/01/2024 09:55

    Meloni nuk po kērkon ndihmē për shtetasit e vet,por..pēr imingrant që duan tē shkojnë në Itali,dhe qeverria e Melonit nuk i do në territoin e vet"teritori i Italis është shumë i vogël dhe nuk ka vënd ku ti strehojë".Meloni kërkon të mbaj premtimin që bëri në fushatēn elettorale kundër imigrantëve,dhe Rama kërkon ti ngreri vlerat veten para europës,për krizēn që kan me imigracionin.Si gjithēmon paguan më i dobti:

    Përgjigju
  • ELISABETA: 31/01/2024 08:37

    I paaarritshem ne shkrimet qe ben Skender Minxhozi !!! Mirenjohje per cdo shkrim qe ndikon ne ndjenja qytetarie, fisnikerie ,patriotizmi per gjithe shqipatret ...Respekte !

    Përgjigju
  • Avni cacaj: 30/01/2024 21:57

    Nje shkrim dhe analize e persosur .Bravo Skender Minxhozi

    Përgjigju
    • Avash Avni avash: 31/01/2024 09:30

      Po mire mor Avni Cacaj vetem Sali Berisha paska te drejte ta kritikoje Ramen? Po ne qe i kemi dhene voten per tu bere kryetar bashkie e kryeminister nuk paskemi te drejte ta kritikojme kur e perdor territorin e vendit si plaçke te babes.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë