TIRANË-  Arrestimet e bujshme të dy ish-deputetëve socialistë nuk janë përmendur nga kryeministri Rama, sot në mëngjes kur mblodhi me dyer të mbyllura grupin parlamentar. Por i shqetësuar për performancën e disa drejtorëve të tij, Rama ka urdhëruar nesër në mëngjes një mbledhje kryesie të Partisë Socialiste si dhe më pas një mbledhje analizuese me të gjithë deputetët.  Burimet thanë për Report TV se Rama ishte drejtuar me këto fjalë grupit parlamentar.

 Kemi disa drejtorë legena që na nxijnë fytyrën duke u përfshirë në korrupsion e keqmenaxhim. Performanca e tyre është larg pritshmërisë së publikut.

Edi Rama, kryeministër

Më tej Rama ka urdhëruar deputetët e Partisë Socialiste që të enjten të mos mungojë askush në seancën plenare dhe të gjitha votat të jenë pro vendimit për të mbyllur të gjitha lojërat e fatit. Mësohet se Rama ka thënë se mirëpret çdo votë të opozitës në mbështetje të këtij aksioni të tij. 

Burime të Report TV pohojnë se varianti i ligjit të sjellë nga qeveria do të pësojë disa ndryshime për të përcaktuar më me detaje se si do të mbyllen lojërat e fatit e cilat kategori mund të mbijetojnë. Më tej, Rama është fokusuar tek paketa anti-shpifje, duke ju kërkuar deputetëve që të dërgojnë në gjyq çdo shpifje.