POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Rekord shifrat e energjisë elektrike, INSTAT: Prodhimi vendas u dyfishua, humbjet në rrjet ulen 7.6%

Foto ilustruese

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 1.6%. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë pothuajse u dyfishua, duke arritur vlerën 2.7 miliardë kilovatorëve nga 1.4 miliardë të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2017. Ky prodhim i energjisë elektrike u realizua nga hidrocentralet publike në masën 66.3% të prodhimit neto vendas dhe nga hidrocentralet private dhe koncensionare që realizuan 33.7% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Rritja e prodhimit të energjisë elektrike, në tremujorin e dytë të vitit 2018, ka ndikuar në uljen e importeve bruto të energjisë elektrike (energji në marrje) me rreth 3.3 herë dhe rritjen e eksporteve bruto të energjisë elektrike (energji në dhënie) me rreth 6.5 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018, humbjet në rrjet kanë arritur vlerën 394 milionë kilovatorë, nga 426 milionë që ishin në tremujorin e dytë të vitit 2017, duke shënuar kështu një rënie me 7.6%. Humbjet në shpërndarje janë ulur me 17.7%, si rrjedhojë e uljes së humbjeve jo teknike në shpërndarje.

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e dytë të vitit 2018, u rrit me 4.6%, duke arritur vlerën 1.4 miliardë kilovatorë, nga 1.3 miliardë që ishte në tremujorin e dytë të vitit 2017.

f.g.
Komento