REPORT TV ka siguruar videon që tregon momentin kur deputeti i LSI, Edmond Panariti, i ndërron kartën deputetit të pavarur, Robert Bitri, në Kuvend. Siç shihet nga videoja më poshtë e regjistruar nga kamerat e sigurisë, deputeti Panariti është kapur 'mat' teksa i ndërron kartën kolegut të tij, Bitri, për të krijuar parregullsi në votimin për projektligjin për Teatrin Kombëtar, i cili u kundërshtua nga opozita. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:19
I ndërroi kartën Robert Bitrit, Panariti sfidon Ballën: Publiko videon e plotë

Vijojnë replikat në distancës mes deputetëve të LSI dhe PS për manipulimin e votimit të ligjit për Teatrin. Taulant Balla pretendon se ish-ministri, Edmond Panariti ka vendosur kartën elektronike të votimit të Vangjel Tavos në vend të kartës së Robert Bitrit.

Ndërkohë që Panariti, përmes një postimi në Facebook, thotë se ky është një mashtrim, pasi është vetë deputeti Robert Bitri ai që ka votuar me kartën e Vangjel Tavos.

Ftoj zotin Balla, të publikoje të plotë videosekuencat e seancës dhe veçanërisht momentin kur zoti Bitri, vjen ne seancë edhe ulet në postin e tij. Aty do të shihni qartë se si zoti Bitri, pasi ulet në karrige, e largon kartën e deputetit Tavo dhe përdor kartën e tij. Vendosja e kartës së zotit Tavo në postin e z. Bitri, ishte propozim për zëvendësimin e tij ne formatin e grupit, pas largimit të tij nga LSI. Kjo është e vërteta.

Edmond Panariti, deputet i LSI

 

Ora 16:37
Ndërroi kartën e Bitrit me të Tavos, Panariti për Report Tv: Ishte sugjerim i grupit të LSI

Deputeti  i LSI, Edmond Panariti ka pranuar për Report Tv se ishte ai që ndërroi kartën e Robert Bitrit me atë të deputetit të LSI, Vangjel Tavo, por me sugjerim të grupit parlamentar të LSI. Ndërrimi i kartave bëri që për ligjin e Teatrit Kombëtar të llogaritej edhe vota e Vangjel Tavos, pavarësisht se ai nuk ka qenë i pranishëm në seancë.   

Panariti shpjegon se Bitri vendosi të dilte deputet i pavarur disa ditë më parë dhe për këtë shkak ai duhet të ndërronte ulëse dhe jo të vijojë të qëndrojë në vendet e përcaktuara për grupin parlamentar të LSI.

Megjithatë, Panariti sqaron se veprimi i tij është bërë në fillim të seancës dhe ai këmbëngul se Robert Bitri ka votuar me kartën e tij, pasi me të mbërritur në Kuvend, ai ka ndërruar sërish kartat që u lëvizën më herët. 

Sugjerimi i grupit parlamentar te LSI-së ishte që karta e deputetit Tavo të vendosej në postin e deputetit përbri meje, për shkak se deputeti Bitri u largua nga grupi si deputet i pavarur. Kjo ka ndodhur në fillim të seancës, pra shtatë orë para votimit.

Meqenëse deputeti Bitri u paraqit në të njëjtin vend, gjeja e parë që ai bëri ishte zëvendësimi i kartës së Tavos me kartën e tij. Pra z. Bitri ka përdorur kartën e tij. Kjo është e verifikueshme.

Edmond Panariti, deputet i LSI