POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Skënder Gjinushi: Po zgjedhjeve në akademi, projektligji aprovohet së shpejti

Skënder Gjinushi

Skënder Gjinushi në një bisedë telefonike për “Shqiptarja.com”, konfirmon se projektligji që do të reformojë Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, do të aprovohet së shpejti, gjë që sipas tij do të përkojë edhe me zgjedhjet e reja, pasi institucioni prej më shumë se një viti nuk ka pasur, as kryetar, as nënkryetar.

Ndërkohë që më 20 shkurt mbaron edhe mandati i të vetmit drejtues të Akademisë, sekretarit Vasil Tole, sot në orën 11.00, në Sallën "Aleks Buda, do mbahet mbledhja e Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ky vendim u shpall zyrtarisht pak ditë më parë nga kryesia e ASHSH, pas aprovimit të kërkesës së dhjetë akademikëve për të diskutuar çështjen e zgjedhjeve të reja,duke insistuar që projektligji të aprovohet sa më parë.

Në faqen zyrtare të institucionit është shkruar edhe motivi i kësaj mbledhjeje. “Në zbatim të porosisë së Z. Kryeministër Edi Rama, të bërë në Akademinë e Shkencave më datën 20 shtator 2018, në datën 30 tetor 2018 u mblodh grupi i Punës së Reformës në ASH, për të trajtuar çka sugjeroi z. Kryeministër për një proces sa më gjithëpërfshirës. Grupi i kërkon Asamblesë një takim për ta informuar për çka është bëre deri më tani nga ana e tij në këtë drejtim, në kontakt me Ministrinë, si dhe për të përcaktuar së bashku qëndrimin përfundimtar si Akademi për sa më sipër. Pjesëmarrja e secilit prej akademikëve është e detyruar!”

Pas kësaj, gjatë këtyre ditëve anëtarë të Asamblesë janë shprehur se në këtë mbledhje do të diskutohet për zgjedhjet e kryesisë, të cilat do të bëhen edhe nëse nuk aprovohet ligji i ri. “Ndoshta ne duhet të bëjmë zgjedhje të përkohshme me ligjin e vjetër, po të duan, pas kësaj le të bëhen sërish. Për këtë mblidhet Asambleja, me propozimin  e dhjetë akademikëve dhe do të diskutohet të bëhen apo jo zgjedhjet me  ligjin e vjetër.”, ka thënë akademikja Floresha Dado, anëtare e përhershme e Asamblesë së këtij institucioni dhe Kryetare e Seksionit të Shkencave Shoqërore e Albanologjike, në një intervistë të dy ditëve më parë për “Shqiptarja.com”.

Ndërsa Skënder Gjinushi që ka qenë në krye të grupit të punës që hartoi projektligjin reformues, i quan të natyrshme zgjedhjet e reja në Akademi, ku shprehet më tej se me këtë rast edhe projektligji do të aprovohet së shpejti.

Grupi i punës me kryetar Skënder Gjinushin  ka hartuar 2 projektligje, një për Akademinë e një për Kodin e Etikës, të cilat janë mbështetur edhe nga grupet e interesit, dhe ministritë përkatëse.

Gjatë bisedës telefonike për “Shqiptarja.com”, si kryetar i grupit të punës, akademik  Skënder Gjinushi u shpreh se “Projektligji ka tetë muaj që është bërë publik dhe nuk është bërë asnjë vërejtje mbi të. Për çfarë vërejtjesh janë bërë është reflektuar dhe i janë servirur komunitetit të kërkuesve, institucioneve.”

I pyetur rreth reagimit të Akademikut, Artan Fuga, i cili në një intervistë të një dite më parë në “Report TV” e “Shqiptarja.com” e ka quajtur mbledhjen e Asamblesë “puç institucional”, ndërsa projektligjin “të dështuar”,  Gjinushi nuk ka pranuar të flasë lidhur me këtë replikë, por është shprehur më tej se “Edhe ndonjë që ka bërë të pakënaqurin nuk ka kërkuar gjë konkrete. Shteti është serioz, projektligji u konsultua katër muaj rresht. Janë bërë takime çdo javë. Keni qenë dhe ju në këto takime. U dhanë vendime, do të miratohen. Nuk ka as kundërshtime nga grupe të caktuara. Meditime personale mund të ketë brenda kokës së dikujt”, u shpreh Gjinushi.

Gjatë kësaj bisede telefonike i kujtuam akademik Skënder Gjinushit edhe njw vlerësim që kryeministri Rama i ka bërë platformës së akademikut Artan Fuga. Ndërkohë akademik Gjinushi është përgjigjur: “Lexojeni mirë kryeministrin që është shprehur se “çdo gjë është bërë shumë mirë”, duhet votuar, çdo gjë është gati, e që “shohim dritë në tunel”, dhe më tej që “ka edhe një platformë tjetër, nëse ka një element pozitiv... Kryeministri ka këshilluar dhe ka rekomanduar  që të shihej edhe njëherë nëse kishte elementë për të marrë nga platforma e Fugës. Nuk u gjet asnjë elementë pozitiv, e ripamë edhe njëherë dhe madje Fuga nuk dëshironte të ulej të diskutonte. Gjërat diskutohen në tavolinë, në institucion. Nuk ka asgjë që të mos jetë përfshirë në këtë projektligj.”, tha Gjinushi. Ndërsa rreth zhvillimeve të Asamblesë për mbledhjen e sotme, Gjinushi u shpreh se “Do të jetë një mbledhje normale e Asamblesë. E kanë kërkuar dhjetë akademikë dhe do të bëhet”. Duke premtuar një intervistë të zgjeruar gjatë ditës së sotme për “Shqiptarja.com”, akademiku Skënder Gjinushi është shprehur për sa i përket projktligjit se “Pritet dhe ligji i ri, por do të dalë në afatin e caktuar”

Historia

“Ultimatumi” i kryeministrit, si nisi reformimi i Akademisë së Shkencave

Në shtator të 2017-s nisën një radhë kritikash dhe replika të akademikëve që pati shkak zgjedhjen rotative, prej 20 vjetësh, të kryetarit e nënkryetarit të Akademisë së Shkencave, përkatësisht të Myzafer Korkutit e Gudar Beqiraj. Në këtë kohë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë u vu përballë alternativës së reformimit. Në krye të këtyre debateve për reformën ka qenë akademiku Artan Fuga; që i dërgoi kryeministrit Rama një letër të hapur publike duke i përshkruar gjendjen e degraduar të Akademisë së Shkencave.

Zgjedhjet u bënë pas votimit të Asamblesë së Akademisë së Shkencave më 4 shtator 2017, për dy postet e rëndësishme atë të kryetarit dhe nënkryetarit. Por, nga thirrja e hapur për kandidatët, vetëm kryetari aktual dhe nënkryetari aplikuan për këto poste. Më konkretisht: për postin e nënkryetarit kandidoi kryetari në detyrë i Akademisë Myzafer Korkuti, dhe nënkryetari aktual Gudar Beqiraj zgjodhi të kandidonte për postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave. Pas këtyre zgjedhjeve, Akademia e Shkencave u përfshi në një debat të ndezur me qeverinë, dhe nuk vonoi përfshirja e vet kryeministrit Edi Rama që deklaroi “zero lekë në buxhetin e 2018 për Akademinë e Shkencave”, nëse nuk do të reformohej. Pas këtyre debateve, kryetari i sapozgjedhur dhe nënkryetari dhanë dorëheqjen për t’i hapur rrugën refomimit. Vetë Asambleja e Akademisë caktoi grupin reformues të drejtuar nga akademiku Skënder Gjinushi.

Në nëntor të 2017-s, Kryeministri Edi Rama, në një takim që pati me grupin reformator të Asamblesë së Akademisë së Shkencave, ka deklaruar se “dikur kjo akademi u krijua si xhevahiri më rrezatues i kurorës shqiptare, ndërsa sot është burim pezmatimi permanent.” Kryeministri nuk nguroi ta deklaronte këtë institucion si “kufoma e vetvetes, e cila nuk përfaqëson as vizionin e etërve themelues”, e shumë të tjera. Rama ka insistuar në domosdoshmërinë e reformimit të Akademisë gjatë kësaj periudhe, në pritje të një platforme të plotë, që gjatë rrugës ka pasur replika dhe debate, dhe tashmë ka shkuar në qeveri, në pritje të aprovimit të një ligji të ri për institucionin në fjalë.

a.s./ke.mu.
Komento

Komente

  • kaloresi i urdherit leshtelikes: 11/01/2019 13:03

    aman,vdiqa per tu bere nje cike kryetar.te pakten te behem nje cike rektor ose nje cike dekan.ishallah fitojne studentet dhe une zgjidhem.me profesoratin rregullohem.

    Përgjigju
  • Fredi: 11/01/2019 10:10

    Akoma me shokun Skënder Hahahhah!

    Përgjigju